Arbëri

Banorët e Bitisë i vazhdojnë protestat edhe pas dhunës, përgatitet padi ndaj Ministrisë së Mjedisit

Nuk e kanë ndalur protestën. Pavarësisht ndërhyrjes së policisë me sprej, banorët e fshatit Biti e Poshtme të Shtërpcës, po vazhdojnë kundërshtimin e ndërtimit të hidrocentralit.

Sipas tyre, dhuna që ushtroi policia është e papranueshme. Hamdi Rushiti thotë se policia përdori sprej edhe ndaj fëmijëve. Më tutje, banorët tregojnë se nuk janë përdorur fjalë ose veprime që do të mund të nxisnin një reagim të tillë të policisë, raporton KTV.

Ndërkaq, as fëmijët nuk e kanë zhvilluar mësimin këtë të mërkurë, e banorët thonë se kjo është për shkak të traumës që kanë përjetuar.

Pas incidentit, trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë në Shtërpcë, kanë marrë 20 persona, prej të cilëve 10 gra e dy fëmijë.

Mirëpo, sipas Policisë, dhunë e as sprej nuk është përdorur ndaj grave e as fëmijëve, e për këtë u arrestuan tre persona, të cilët pas intervistimit u liruan me procedurë të rregullt.

Në ndihmë banorëve të Bitisë u ka dalë edhe Instituti i Kosovës për Demokraci.

Majlinda Kurti – Shehu, thotë se do t’i ndihmojnë ligjërisht banorët të ngrenë padi ndaj Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

E në protestën e së mërkurës ishin prezent edhe pjesëtarë të KFOR-it, të cilët bisedonin me banorët.

Po ashtu, gjatë protestës erdhi edhe komandanti i Policisë së Shtërpcës.

Protesta, e cila filloi shumë herët, u shpërnda e qetë gjatë mesditës, e gjithashtu, punimet nuk u zhvilluan.

Banorët e fshatit Biti e Poshtme për më shumë se pesë vjet po kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit në lumin Lepenc.

Sipas tyre, askush nga Komuna ose Ministria e Mjedisit, nuk ka biseduar paraprakisht me ta, për t’u treguar se 70% e lumit, do të futet në gypa.