Nis takimi Thaçi-Grenell

Kurti: Përmbajtja e marrëveshjes me Serbinë më e rëndësishme sesa afati për arritjen e saj

Kushtrim Kadriu 09 October 2019 13:01
15:41

Sot, në Ambasadën e re të SHBA-së në Prishtinë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe anëtari i kryesisë, Glauk Konjufca, u takuan me Ambasadorin Amerikan në Gjermani, Richard A. Grenell dhe Ambasadorin Amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, bën të ditur Vetëvendosja përmes faqes zyrtare në Facebook.

“Ambasadori Grenell fillimisht uroi udhëheqësit e Vetëvendosjes për vendin e parë në zgjedhjet parlamentare të së dielës së 6 tetorit dhe dëshironte të dëgjonte mendimin e qëndrimin e tyre për mundësitë e një marrëveshje me Serbinë, para se ai të udhëtonte për Beograd. Grenell theksoi që mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë kosovare”, thotë VV.

Kurti shprehu falënderimin e tij për rolin dhe mbështetjen e SHBA-së për Kosovën si në luftë ashtu në paqe dhe gatishmërinë e tij që si kryeministër i ri i Kosovës të thellojë bashkëpunimin me SHBA-në.

Ai u pajtua me Ambasadorin Grenell që Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe investime prej jashtë, por për këtë gjë problem janë sidomos korrupsioni i lartë në qeveri që krijon pasiguri e cila tremb bizneset, varfëria e përhapur në popullsi që e mban të ulët kërkesën agregate si dhe qasja e vështirë në financa për bizneset për shkak të kamatave të larta të kredive në banka.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti tha që përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të. Në fund të këtij takimi të hapur e konstruktiv, bashkëbiseduesit u pajtuan që sa më shpejtë të krijohet qeveria e re në Kosovë dhe se do të vazhdojnë komunikimin e shpeshtë e të rregullt”, thuhet në postimin e VV-së.

15:32

Grenelli përfundon takimin me Mustafën dhe Osmanin, e nis me Veselin

Pasi ishte takuar me presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti ambasadori Richard Grenell, përfaqësues special i Trumpit për dialogun, ka takuar edhe Isa Mustafën dhe Vjosa Osmanin.

Takimi i Grenellit me Mustafën e Osmanin ka përfunduar para pak çastesh, raporton KTV.

Ndërsa menjëherë pas përfundimit të takimit me Mustafën, kryetari i PDK-së Kadri Veseli është parë duke hyrë në ambientet e Ambasadës amerikane.

15:21

Thaçi: Vëmendja e SHBA-së për Kosovën rrit besimin tonë për marrëveshjen me Serbinë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur ambasadorin Richard Grenell, Përfaqësues Special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Marrëveshjen e Paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Presidenti Thaçi ka falënderuar ambasadorin Grenell për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha periudhat.

“Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “kjo shton konfidencën dhe besimin tonë në kërkimin e Marrëveshjes së Paqes me Serbinë”.

Në këtë takim u tha se Marrëveshja e Paqes në mes Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit.

Ambasadori Richard Grenell, Përfaqësues Special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se shpreson se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje.

Ai ka theksuar se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vë themelin për rritje ekonomike dhe do të kontribuojë për mirëqenien e gjithë qytetarëve.

Presidenti Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës do të jetë konstruktive në gjetjen e një zgjedhjeje, e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit dhe ka shtuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.

Image
14:38

Kurti takohet me Grenellin në Ambasadën amerikane në Prishtinë

Kreu i Vetëvendosjes dhe kryeministri në ardhje i Kosovës, Albin Kurti ka dalë nga Ambasada amerikane në Prishtinë pas takimit me Richard Grenellin, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, raporton KTV.

Grenell sot është takuar në Presidencë me Hashim Thaçin, derisa më pas është takuar me Kurtin në Ambasadën amerikane, me ç’rast do të takojë edhe përfaqësuesit e subjekteve politike.

14:10

Përfundon takimi Thaçi – Grenell, nuk deklarohen për media

Para pak minutash ka përfunduar takimi Thaçi- Grenell, në të cilin ka marrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, raporton KTV.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell do t’i takojë përfaqësuesit e subjekteve politike në Ambasadën amerikane në Prishtinë.

Pas këtij takimi nuk ka pasur deklarime për media.

Image
13:01

Nis takimi Thaçi-Grenell

Ka nisur në Prishtinë takimi ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe Richard Grenellin, të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump për ndërmjetësim të dialogut Kosovë – Serbi.

Thaçi e ka pritur Grenellin në presidencë, transmeton KTV.

Grenell e viziton Kosovën për herë të parë, pak ditë pasi ai e mori detyrën e re si i dërguar special i SHBA-së në negociatat mes Kosovës e Serbisë, që janë ndalur qe një vit.

Grenell gjatë ditës do t’i takojë edhe përfaqësuesit e partive politike.

I angazhuari i Trumpit është ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme