Arbëri

Nuk reagon RTK-ja për statusin e Shalës që i quajti votuesit e VV-së “pro rusë” - Sindikata kërkon distancim

Një ditë pasi drejtori i portalit në Televizionin Publik RTK , Mentor Shala, i akuzoi qytetarët e vendit se votuan për Lindjen e Rusinë në zgjedhjet e së dielës, televizioni publik ka vendosur që të mos deklarohet për këtë reagim të Shalës.

“Lindje-Perëndim, Perëndim a Lindje?! Përgjigja u dha sonte - sot 26% e popullit (që fatmirësisht nuk është shumica e popullit të Kosovës), vendosën për Lindjen”, kishte shkruar Shala pas publikimit të rezultateve të KQZ-së, e cila nxori fituese Vetëvendosjen, status të cilin e fshiu pastaj nga faqja e tij në “Facebook”, raporton KTV.

E për këtë, të martën, ka reaguar sindikata e pavarur e punëtorëve të RTK-së.

Kjo sindikatë e ka dënuar gjuhën fyese të drejtorit, Mentor Shala, derisa ka kërkuar që Bordi dhe Menaxhmeti i RTK -së të distancohen nga kjo gjuhë denigruese e drejtorit të mediave online të RTK-së e cila e shkelë rëndë kodin etik dhe standardet profesionale të transmetuesit publik.

KTV-ja ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga vetë drejtori i portalit të RTK-së, Mentor Shala, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Ndërsa anëtarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, përmes telefonit, shkurt ka thënë se ‘RTK-ja i ka standardet mbi të cilat funksionin, derisa çështja e Shalës i takon menaxhmentit të RTK-së’.

Nëse kanë nisur ndonjë procedurë ligjore ndaj tij, nuk ka dashur të flasë as menaxhmenti i televizionit publik, e drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati nuk është lajmëruar në thirrjet e televizionit.

Sipas rregulloreve të brendshme të RTK-së për standarde profesionale dhe kod etik, përcaktohet se gjatë publikimit të teksteve autoriale, bllogjeve, komenteve të punonjësve të RTK-së në mediat online, rekomandohet që paraprakisht të konsultohet me kryeredaktorin për t’iu shmangur rreziqeve ligjore e profesionale.

E ditëve të fundit, portali i RTK-së , drejtor i të cilit është Mentor Shala, mori kritika të shumta për disa shkrime të tij..

Në mesin e tyre ishte edhe një shkrim ku thuhej se të gjitha partitë, përveç PDK-së, kishin pasur pozicione kundërshtuese ndaj SHBA-së.

Për raportim që e përkrah PDK-në, televizioni publik u kritikua edhe nga vëzhguesit evropianë të zgjedhjeve.