Arbëri

Rama: Asnjë pagesë për foton me Obamën

Rama: Asnjë pagesë për foton me Obamën
 

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama mohoi mbrëmjen e së enjtes të jetë përfshirë në çështjen e një pagese prej 80 mijë dollarësh si donacion për fushatën elektorale të vitit 2012 të presidentit amerikan Barack Obama, e cila dyshohet të jetë ofruar për t’i krijuar atij mundësinë e realizimit të një fotoje me kreun e Shteteve të Bashkuara.

Çështja e cila bëri zhurmë në vitin 2016 kur autoritetet amerikane morën nën hetim dhe hapën një proces gjyqësor ndaj shqiptarit me banim në New Jersey, Bilal Sheshu, u rikthye në vëmendjen publike, pasi pak ditë më parë një gjykatë në Shtetet e Bashkuara dënoi me 4 muaj burg 61 vjeçarin William Argeros për kontribut të paligjshëm nga një i huaj në një komitet të përbashkët për mbledhjen e fondeve për presidentin Barack Obama. Avokati i zotit Argeros citohet të deklaruar gjatë procesit se klienti i tij kishte vepruar në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama, dhe se kandidati ishte Edi Rama, kryeministri aktual i Shqipërisë.