KITU rikujton fajin e kryeministrit për përjashtimin e AKA-së nga ENQA dhe pasojat

Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU) shpreh indinjatën e thellë për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nga ENQA. Procesi i degradimit të Agjencisë deri në përjashtimin përfundimtar nga të gjitha mekanizmat ndërkombëtare të sigurimit të cilësisë filloi me vendimin e kryeministrit Haradinaj në fund të vitit 2017, të zbatuar nga ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi. Ky shkarkim arbitrar që u konsiderua me të drejtë cenim i pavarësisë së institucionit, çoi në përjashtimin automatik të AKA nga EQAR dhe degradimin e saj në anëtarë nën vëzhgim në ENQA.
KITU pati ndërhyrë dy vite më parë duke zhvilluar takime në Bruksel me zyrtarët e ENQA dhe EQAR për të garantuar se ndërhyrje të tjera nuk do të ketë. KITU po ashtu ka marrë pjesë aktivisht në hartimin e udhëzimit për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) pranë AKA si dhe ka monitoruar mbledhjet e KShC-ës me qëllim të evitimit të ndërhyrjeve të mëtutjeshme. E tëra ka rezultuar me një përbërje të re të KShC-së e cila u vlerësua pozitivisht në çështjet e e pavarësisë së AKA-së. Megjithatë, shqyrtimi rigoroz i aspekteve të përgjithshme e të motivuara nga dyshimet e bazuara të ENQA për shkak të ndërhyrjeve të mëhershme, ka çuar në përjashtimin e plotë të AKA-së.
