Kompania ajrore “Adria Airways“ ka njoftuar të mërkurën pasdite se do të vazhdojë të suspendojë pjesën më të madhe të operimeve duke përfshirë ato për në/nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” gjatë ditës së enjte, 26 shtator dhe të premten, 27 shtator 2019, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Udhëtarët kosovarë të “AdriaAirways’’ nuk u njoftuan paraprakisht për anulimet e fluturimeve
“Duke iu kërkuar falje udhëtarëve të saj, kompania ajrore “Adria Airways“ ka ripërsëritur këshillën ndaj udhëtarëve që afektohen nga këto suspendime që të kontaktojnë agjencitë ku i kanë blerë biletat”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.
Tutje thuhet se Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës është duke e monitoruar në vazhdimësi situatën e krijuar rreth operimit të kësaj kompanie dhe do t’ju informojë për zhvillimet e reja.
Ditë më parë KTV-ja ka raportuar se kompania sllovene po përjeton krizë financiare, çka mund ta çojë drejt falimentimit, në mungesë të ndonjë investitori potencial.
Derisa edhe ditë më parë ka pasur disa fluturime të anuluara.
Reuters raporton se Agjencia e Aviacionit Civil të Sllovenisë ka deklaruar se Adria ka kohë deri më 2 tetor për paraqitur planin financiar në mënyrë që të mbajë licencën.
Adria i shtohet kompanive të tjera të vogla evropiane të linjave ajrore që po kalon në një krizë financiare për shkak të kapacitetit të madh të kësaj industrie, konkurrencës së lartë dhe çmimeve të larta të karburantit.
“Adria Airways është duke pasur bisedime aktive me pronarë të rinj potencialë dhe kreditorë të mëdhenj dhe mbetet e përkushtuar për arritjen e një zgjidhje pozitive për të gjithë”, thuhet në një deklaratë të kompanisë.
Gjatë të martës dhe të mërkurës u anuluan 158 fluturime, duke afektuar 3700 pasagjerë.
E sipas raportimeve të Reutersit, një numër i njëjtë i pasagjerëve do të preken nga anulimi që është bërë sot dhe nesër.