Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, i ka kërkuar homologut të tij nga India që ky shtet ta njohë Kosovën.
“Mbështetja e konsolidimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës është elementi qendror i politikës së jashtme të Shqipërisë në rajon”, ka thënë Cakaj.
Njoftimi i plotë i Cakajt:
“Sot, mes shumë të tjerash, zhvilluam edhe një takim të veçantë dypalësh me ministrin e Punëve të Jashtme të Indisë, z. Subrahmanyam Jaishankar.
Vlen të theksohet se në qendër të diskutimeve ishte domosdoshmëria e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe nevoja e mbështetjes së saj në mekanizma ndërkombëtarë.
Mbështetja e konsolidimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës është elementi qendror i politikës së jashtme të Shqipërisë në rajon.
Edhe
Cakaj kërkon anëtarësimin e Kosovës në OKB
Natyrisht, duke pasur parasysh faktin se India është një prej shteteve me zhvillimin më të hovshëm në botë, bashkëpunimi dypalësh mes vendeve tona po ashtu mbetet shumë i rëndësishëm.
Në takim, ndër të tjera, ramë dakord edhe për përmbylljen përfundimtare të një varg marrëveshjeve në fushën e sigurimeve shoqërore, promovimit dhe mbrojtjes së investimeve dhe transportit detar. Ky kuadër i marrëveshjeve do të ketë një rol domethënës në konsolidimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Indisë.
Po ashtu, India konfirmon mbështetjen për kandidaturën e Shqipërisë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023”.