Arbëri

FSK-ja pjesë e ushtrimit ndërkombëtar Saber Junction 19 në Gjermani

Një kontingjent i Forcës së Sigurisë të Kosovës, i përbërë nga oficerë dhe nënoficerë, dy ekipe mjekësore dhe një ekip i Kompanisë për Operacione Civile (KOC), që nga 10-30 shtator po merr pjesë në ushtrimin fushor ndërkombëtar Saber Junction 19 në bazën amerikane Hohenfels në Gjermani.

Pjesëtarët e kontingjentit të FSK-së i janë bashkangjitur njësive amerikane, sipas misionit të tyre, duke operuar në detyrat e tyre specifike.

Krahas Divizionit të Parë të Këmbësorisë së ushtrisë amerikane dhe asaj të Kosovës, në këtë ushtrim po marrin pjesë edhe mbi 5400 trupa nga shumë vende të botës, si Armenia, Azerbajxhani, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Gjeorgjia, Italia, Lituania, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Polonia, Rumania, Turqia dhe Ukraina.

Ekipet e mjekësisë të FSK-së janë angazhuar në trajtimin e të lënduarve, evakuimin e viktimave dhe mbështetje të tjera mjekësore. Ndërsa, ushtarakët e KOC-it janë duke realizuar operacione me civilët.

Si njësi e re e krijuar, gjatë operacioneve të këtij ushtrimi, janë mbështetur vazhdimisht nga ekipet e specializuara në fushën e operacioneve civile të ushtrisë amerikane.

Gjatë ushtrimit është mbajtur edhe DV- Day. Nga FSK-ja, ushtrimin e përcollën kolonelët Agron Bajrami dhe Gyrner Murati.

Ushtrimi kishte për qëllim demonstrimin e aftësive dhe të gatishmërisë për të vepruar dhe punuar në një mjedis të kombinuar shumëkombësh, si dhe shkëmbimin e përvojave me shtetet partnere.