Arrihet punësimi i 6 bursistëve YCS në Ministrinë e Integrimit Evropian Foto: Ilustrim

Arrihet punësimi i 6 bursistëve YCS në Ministrinë e Integrimit Evropian

18 September 2019 11:29

Organizatat e shoqërisë civile bëjnë të ditur se gjashtë bursistë nga nga skema Young Cell Scheme (YCS) të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të shkolluar në universitetet prestigjioze Evropiane janë punësuar në Ministrinë e Integrimeve Evropiane.

“Më 8 gusht 2019, ne – organizatat e shoqërisë civile – kemi shprehur shqetësimin e thellë ndaj tentativës së Ministrisë së Integrimit Evropian për të politizuar shërbimin civil duke refuzuar punësimin e bursistëve nga skema Young Cell Scheme (YCS) të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të shkolluar në universitetet prestigjioze Evropiane, dhe në vend të saj të bëjë punësime publike mbi baza partiake”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Pas presionit, MIE-ja anulon edhe katër konkurset e kontestuara

Në këtë drejtim, ato thonë se kanë kërkuar nga ministrja në dorëheqje Dhurata Hoxha anulimin e menjëhershëm të konkurseve publike në MIE, punësimin e bursistëve nga bursa YCS, si dhe anulimin e çfarëdo mase të kundërligjshme ndaj shërbimit civil të MIE-së.

“Po ashtu, kemi bërë thirrje ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj të ndërhyjë në kthimin e ligjshmërisë brenda Ministrisë së Integrimit Evropian. Me 19 gusht 2019, kemi kërkuar nga institucionet respektive shtetërore të ekzekutojnë kompetencat e veta dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershëm me qëllim të pezullimit dhe anulimit të konkurseve brenda MIE-së, si dhe të sigurojnë punësimin e bursistëve YCS. Njëkohësisht, ju kemi drejtuar përfaqësive të vendeve perëndimorë në Kosovë për të asistuar institucionet e Kosovës në kthimin e ligjshmërisë brenda shërbimit civil”, thuhet në komunikatë.

Organizatat e shoqërisë civile e vlerësojnë lart punësimin e 6 bursistëve dhe anulimin e konkurseve publike.

“Në kuadër të zhvillimeve të fundit, e vlerësojmë lartë punësimin e 6 bursistëve në Ministrinë e Integrimit Evropian dhe anulimin e konkurseve publike. Ne – organizatat e shoqërisë civile – shprehim mirënjohje të thellë për angazhimin e partnerëve tonë ndërkombëtarë drejt ruajtjes së bursës YCS, dhe në këtë drejtim në veçanti dëshirojmë të shprehim falënderim ndaj Zyrës së BE-së në Kosovës dhe Ambasadës Britanike”, thuhet në komunikatë.

Organizatat e shoqërisë civile thonë se do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet sa i përket bursës YCS dhe punësimin e bursistëve në institucionet shtetërore me qëllim të krijimit të një administrate me integritet, të pavarur dhe profesionale dhe në shërbim të qytetarëve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme