Arbëri

Lluka: Qytetarët nuk janë më konsumues, por burim i energjisë

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, sot ishte pjesë e konferencës 4 ditore ‘Java për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kosovës’, e cila organizohet në bashkëpunim me Komisionin Evropian, Qeverinë Gjermane, Balkan Green Foundation dhe INDEP ku qëllimi kryesorë është të afroj ekspertë nga fusha e energjisë dhe ambientit për të diskutuar të ardhmen e vendit në këto fusha.

Sipas komunikatës për media nga MZHE, Lluka tha që Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për energji të ripërtërishme. Vitin që vjen, priten të jepen mbi 200 MW energji solare përmes dy platformave të ndara. Ai gjithashtu ceku që përveç mundësisë për gjenerim komercial të energjisë elektrike, potenciali është edhe më i madh tek gjenerimi për vetkonsum, si për shtëpi ashtu edhe për biznese.

“Qytetarët nuk janë më konsumues, por burim i energjisë. Çdo çati e shtëpive, paraqet potencial të jashtëzakonshëm për të gjeneruar energji elektrike për vetkonsum. Sot, legjislacioni Kosovar e përkrahë mundësinë e deponimit të tepricës energjetike në rrjetin e distribuimit, për ta përdorur atë kurdo që qytetari ka nevojë”, tha Lluka gjatë konferncës.

Ai shtoi se e njëjta vlen edhe për bizneset që operojnë në Kosovë, por fatkeqësisht, akoma nuk kanë gjetur përkrahjen e duhur nga rregullatori i energjisë në Kosovë.

“Edhe bizneseve duhet të ju jepet mundësia të gjenerojnë energji elektrike nga panelet solare dhe të deponojnë në rrjetë të distribuimit aq sa është pëlqimi energjetik, dhe jo të limitohet në 100 kë, sa është e rregulluar tani. Kjo hapë mundësinë që të gjenerohen qindra megavat energji elektrike”, tha Lluka.