Arbëri

Ec Ma Ndryshe: Organet përgjegjëse ta zbardhin rastin e ngordhjes së peshqve në Drinin e Bardhë

Organizata “Ec Ma Ndryshe” përmes një komunikate për media ka kërkuar nga organet përgjegjëse që ta zbardhin rastin e ngordhjes së peshqve në Drinin e Bardhë.

Gjatë javëve të fundit, Shoqata e Peshkatarëve “Drini i Bardhë” dhe Federata e Peshkatarëve të Kosovës, kanë ngritur shqetësimin për ngordhjen e peshkut në Lumbardh respektivisht në Drinin e Bardhë si pasojë e ndotjes së ujërave.

Në bazë të njoftimeve të shoqatës dhe federatës përkatëse dyshohet se si pasojë e helmimit kanë ngordhur sasi të konsiderueshme të peshkut, në ujërat nga fshati Muradem deri në fshatin Dobrusht të Prizrenit.

Mbi 12 ton peshq ngordhin në Drin, askush s’e pranon fajin për kontaminim të ujit

Po ashtu është theksuar se në këtë rast si pasojë e ndotjes së ujërave të lumenjve kanë pësuar edhe bagëtitë. Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka reaguar ndaj ngordhjes së peshqve në lumin Dri, duke theksuar se “sipas peshkatarëve, ngordhja e peshqve ka ndodhur për shkak të kontaminimit të ujit të lumenjve të kësaj ane, nga hedhja e mbeturinave të kompanive të ndryshme, që veprojnë në komunën e Prizrenit”.

Pas raportimit të mediave lidhur me shqetësimet e ngritura për këtë çështje, në fillim të kësaj jave në terren kanë dalë edhe zyrtarët e institucioneve të ndryshme.

Edhe dy lopë të ngordhura, dyshohet se u helmuan nga uji i kontaminuar në Drinin e Bardhë

EC Ma Ndryshe duke pasur parasysh seriozitetin e kësaj çështjeje i bën thirrje organeve kompetente që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet konform përgjegjësive të tyre ligjore për hulumtimin e plotë të këtij rasti dhe ndërmarrjen e masave adekuate në zbatim të ligjit dhe parandalimit të ndotjes së ujërave dhe mjedisit.

Gjithashtu fton organet kompetente që t’i publikojnë udhëzimet e duhura për komunitetin ashtu që të mbrohet shëndeti i njerëzve dhe faunës, sikurse që t’i bëjnë publike edhe rezultatet e analizave dhe hulumtimit të shkaktarit të ngordhjes së peshqve dhe bagëtisë, në mënyrë që të merren masat adekuate që rastet e tilla të mos përsëriten më.