Arbëri

Dialogu, test pa alternativë për qeverinë e ardhshme

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese, do të jetë një nga çështjet parësore, por edhe sfidë kryesore për qeverinë e ardhshme të vendit, e cila pritet të dalë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 6 tetor, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, që presioni ndërkombëtar për të rifilluar dialogun me Serbinë, ashtu siç ishte ndaj Qeverisë së Kosovës në largim, do të jetë edhe ndaj qeverisë së ardhshme.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, pas këtyre zgjedhjeve, është mirë që të jetë një qeveri e spektrit të gjerë dhe të ketë numër të mjaftueshëm të votave, që në mënyrë të zotërueshme dhe kompetente t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë, drejtë arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve. Këto bisedime duhet të çojnë në njohje reciproke, por para së gjithash, duhet t’i hapin Kosovës perspektivën euroatlantike”, tha Tahiri.

Analisti i çështjeve politike, Agon Maliqi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që rifillimi dialogut me Serbinë, për qeverinë e ardhshme të vendit do të jetë prioritet, madje edhe i imponuar nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo, sipas tij, është bërë e qartë edhe nga deklarata e ambasadorëve të vendeve të Quint-it, por sinjale të qarta, siç thotë ai, janë dërguar edhe me emërimin e Matthew Palmer si Përfaqësues i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.

Maliqi, vlerëson se të gjitha këto janë shenja që vendet perëndimore, e në veçanti SHBA-ja, do të insistojnë që tema parësore e qeverisë së re, të paktën në vitin e ardhshëm, të jetë dialogu. Çështja e dialogut, sipas tij, mund të jetë edhe tema që do ta përcaktojë edhe koalicionin e mundshëm për formimin e qeverisë së re.

“Meqë tema parësore do të jetë dialogu, kjo do të jetë temë që ndoshta edhe e përcakton natyrën e koalicionit. E dyta, pastaj, meqë dialogu ose çfarëdolloj marrëveshjeje, nëse arrihet, do të kërkojë njëfarë lloj konsensusi më të gjerë, ndoshta do të shkohet edhe me ndonjë formë – por, kjo është shumë spekulative në këtë moment – që të zgjerohet, të jetë më gjithëpërfshirëse. Kushdo që të jetë në qeverinë e re, për shkak të përvojës së kaluar, duhet ta ketë parasysh që nuk mundet të shkojë të negociojë pa u siguruar që e ka një lloj shumice kushtetuese, nëse jo në qeveri, të paktën parapa procesit të dialogut”, theksoi Maliqi.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë.