Arbëri

Donte të bashkohej me ISIS, shqiptari pritet të pranojë fajin

I riu shqiptar në SHBA, Fabjan Alameti, pritet që të pranojë fajin në lidhje me akuzat ndaj tij për mbështetje ndaj ISIS. Mediat lokale shkruajnë se 21-vjeçari ka dërguar një kërkesë për të pranuar fajësinë. I riu u arrestua në Bozeman në prill. Ai pritet të dalë para gjykatës federale të Missoulas ku pritet të pranojë fajin për deklaratë të rremë ndaj agjentëve federalë në çështje që lidhen me terrorizmi. Kjo akuzë dënohet me 8 vjet heqje lirie në një burg federal.

FBI-ja pretendon se Alameti ka dashur të bashkohet me ISIS-in dhe donte të sulmonte civilë amerikanë në shenjë hakmarrjeje për sulmin në dy xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vranë 50 persona. Shënjestrat e tij sipas hetuesve kanë qenë ndërtesat e qeverisë, klubet gay, tempujt për hebrenjtë ose qendrat për rekrutimin e ushtarëve.

Fabjan Alameti u arrestua në një poligon. Sipas hetuesve, shqiptari shkonte aty për të marrë armë dhe për t’u praktikuar me një pushkë gjysmë automatike. Alameti u kap pasi komunikoi me një agjent të infiltruar të FBI-së, të cilin e informoi për planet e tij për t’iu bashkuar ISIS dhe për të sulmuar në tokën amerikane.

Para disa javësh, një gjyqtare urdhëroi që ky agjent të maskohet në kohën kur do të japë dëshminë ndaj Fabjan Alametit. Ndërkohë prokurori federal kërkoi që seanca gjyqësore ku pritet të jepet dëshmia e të infiltruarit të kryhej me dyer të mbyllura. Por Gjyqtarja Dana Christensen vendosi të kundërtën. Ajo lejoi që agjenti të dalë i maskuar me paruke ose kapele, syze dhe qime false në fytyrë në mënyrë që t’i mbrohet identiteti./abcnews.al