Arbëri

KQZ mblidhet sot

Menjëherë pasi presidenti Hashim Thaçi shpalli 6 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme është aktivizuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ky institucion pritet të mblidhet gjatë ditës së sotme për të marrë vendimet e para që do t'i shërbejnë organizimit të këtyre zgjedhjeve.

Lajmi është konfirmuar për KosovaPress nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se i mbetet anëtarëve të këtij institucioni për të marrë këto vendime.

"Në rend të ditës pritet të jenë disa vendime si shkurtimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore duke i përshtatur me ditët në dispozicion të KQZ-së, miratimi i Planit Operacional dhe miratimi i buxhetit të planifikuar për këto zgjedhje", ka thënë Elezi.

Ai ka shtuar se në këtë mbledhje, në mënyrë që KQZ-ja të arrijë të përmbushë të gjitha detyrimet kushtetuese dhe ligjore, do të marrë vendim për zgjatjen e orarit të punës për stafin.

Ndryshe, këto janë zgjedhjet e shtata për Kuvendin e Kosovës që nga paslufta.

Deri më tani, që nga shpallja e pavarësisë, të gjitha zgjedhjet parlamentare në Kosovë duke përfshirë dhe këto të fundit ishin zgjedhje të parakohshme.