Arbëri

Refuzohen ankesat e të akuzuarve për rastin e veteranëve të rrejshëm

Departamenti Special i Gjykatës se Apelit, i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, në rastin e të akuzuarve për veteranët e rremë, A. Ç., N. L., S. H., Sh. D., Ç. G., Sh. B., Rr. B., F. F., S. E. dhe F. Sh.

Sipas Apelit, aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 19.06.2019, mbetet në fuqi.

“Të gjithë këta po akuzohen nga ana e Prokurorisë Speciale se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ”Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar“. Gjykata e Apelit gjeti se gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar dhe në mënyrë të drejtë ka dhënë arsye të mjaftueshme, se kundërshtimet janë të pabazuara dhe se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka prova të mjaftueshme, të pranueshme në aspektin procedural , për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, ndërsa tani nuk janë plotësuar kushtet ligjore për të cilat mund të hedhet aktakuza”, thuhet në komunikatë.