Arbëri

Yllza Hoti i bashkohet Vetëvendosjes

Në Lëvizjen Vetëvendosje, ka kaluar edhe Yllza Hoti, të cilën kreu i kësaj partie, Albin Kurti, e ka prezantuar si studenten me notën mesatare më të lartë (4.0) në gjeneratën e vitit 2018 në Universitetin Amerikan në Kosovë (RIT Kosovo).

“Yllza ka përfunduar studimet e saj në Menaxhment, Ekonomi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare ku tema e saj e diplomës ka qenë ‘Outsourcing in Kosovo: An analysis of Kosovo's comparative advantage and the potential for growth’”, ka shkruar Kurti në prezantimin e Hotit.

“Ajo tash punon si Koordinatore për Pranim të Studentëve në po të njëjtin Universitet. Ka punuar si instruktore e tutore e matematikës, si dhe koordinatore në prokurim. Gjatë studimeve Yllza ka punuar edhe si vullnetare në tre klube të ndryshme të RIT Kosovo: ka qenë Presidente e Klubit të Bamirësisë, Sekretare e Klubit të Ekonomistëve si dhe e Klubit të Mjedisit të RIT Kosovo. Është fituese e disa bursave dhe çmimeve të ndryshme”, ka thënë më tej Kurti.

Kurti ka thënë tutje se “me vajza punëtore e të mençura si Yllza, Lëvizja po shton shprehi të punës, lartësi të vetëdijes dhe thellësi të dijes, të gjitha këto të domosdoshme dhe esenciale për ndërtimin e qeverisë dhe zhvillimin e vendit”.

“Ne po rritemi, do të rritemi edhe më shumë. Sepse po fitojmë. Gur i provës për këtë është rinia e ditur që po bashkohet në organizatën tonë”, ka thënë Kurti.