Qeveritë jetëshkurtra

Qeveritë jetëshkurtra

Besnik Krasniqi Besnik Krasniqi 23 August 2019 07:53

Kuvendi i Kosovës është shpërndarë të enjten, duke e ndërprerë në gjysmë mandatin e legjislaturës së gjashtë dhe duke mos lënë hapësirë për formimin e një qeverie të re, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Në fakt, prej se Kosova është shtet, asnjë Qeveri dhe asnjë legjislaturë nuk e ka çuar deri në fund mandatin.

Për pasojë, nuk ka pasur asnjë palë zgjedhje të organizuara në afat të rregullt kushtetues.

Pas shpërndarjes së Kuvendit, presidenti Hashim Thaçi i ka në dispozicion dhjetë ditë për ta dekretuar datën e zgjedhjeve të parakohshme. Në bazë të burimeve të Kohës Ditore, Thaçi është përcaktuar që data e zgjedhjeve të jetë 6 tetori.

Qeveria e pakicës

Më 19 korrik, gjakftohtë ka qëndruar për një orë në mbledhjen e 111-të të Qeverisë, dhe në fund të saj, nën emocione të forta, Haradinaj ka dhënë kumtin që kurrkush nuk e priste: Jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryeministrit.

E ka bërë këtë, pasi gjykata të cilën e kishte quajtur “monstrum” kur ishte krijuar, e ka ftuar për t’u intervistuar në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

“Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci”, pati thënë Haradinaj në Qeveri. “Nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar”.

Pakkush besoi se ishte i vërtetë motivi që Haradinaj e proklamoi për dorëheqjen. Ftesa nga Dhomat e Specializuara – mekanizëm gjyqësor me mandat për t’i trajtuar pretendimet e senatorit Dick Marty për krime të UÇK-së – atij i kishte ardhur në kohën kur ndërpreu komunikimin me dy përfaqësuesit më të lartë shtetërorë, presidentin Hashim Thaçi e kryeparlamentarin Kadri Veseli, si dhe me partnerët e tij të koalicionit, përfshirë aleatin më të moçëm, zëvendëskryeministrin e parë Fatmir Limaj. (Më shumë detaje mund të gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme