Kurti: Sot është ditë gëzimi për qytetarët, koha për punë të mëdha e jo vendime të mëdha

Kurti: Sot është ditë gëzimi për qytetarët, koha për punë të mëdha e jo vendime të mëdha

22 August 2019 11:12

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas shpërndarjes së Kuvendit, ka deklaruar se sot është ditë gëzimi për qytetarët.

“U bë shumë mirë që u hap mundësia për legjislaturë të re e qeverisje të mirë. Ishte një qeveri në të cilën kryeministri që u dorëhoq kishte dyfish më shumë në parti në koalicionin qeverisës se sa deputet të partisë së tij në Kuvendi. Ku kemi parasysh se me shpejtësi marramendëse e kanë rritur borxhin publik, e në sasi enorme e kanë rritur deficitin buxhetor, natyrisht se sot është ditë gëzimi për të gjithë qytetarët e republikës”, ka thënë Kurti.

Tutje ai ka folur edhe për koalicionin e mundshëm me LDK-në.

“Kur të kemi rezultate konkrete do iu njoftojmë menjëherë. Momentalisht jemi në një moment të mirë. Qeverisja e ardhshme nuk do të duhej që me vendime të mëdha për të falë tokë, por do të duhej të merrej me punë të mëdha. Me prokurorë që e luftojnë korrupsionin. Kemi shumë punë të mëdha për të bërë, por jo vendime të mëdha”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për dialogun.

“Ne në parim nuk jemi kundër dialogut, por jemi për dialog me parime”, u shpreh Kurti. “Unë po flas si i ri që do të jem në ballë të Vetëvendosjes në fushatën elektorale, unë po them se çfarë duhet e çfarë qytetarët kanë nevojë”.

Kurti ka fajësuar PDK-në për këtë gjendje të Kosovës.

“Ne konsiderojmë se shteti i kapur i Kosovës është i tillë pikërisht për shkak të PDK-së, ne nuk hyjmë në koalicione parazgjedhore me ata që ishin pjesë e kësaj qeverie, që mezi u mbajt në këmbë si qeveri e pakicës”.

Ai thotë se nuk duhet të ketë edhe katër vjet vonesë që të mësohet se Vetëvendosje ka të drejtë.

“Gjykata Speciale është e padrejtë dhe duhet të ketë përgjigje institucionale për këtë. Por, kur ne e kundërshtonim atë neve na thoshin se ne jemi me Rusinë, por pas katër vitesh po del që ne kemi pasur të drejtë. Nuk ka nevojë që të shkojnë edhe katër vjet që të mësohet se Vetëvendosje ka pasur të drejtë”, u shpreh Kurti.

Tutje ai ka shtuar se, “kur të vijmë në pushtet ne do të luftojmë krimin e korrupsionit të paqes. Për ne ka rëndësi të luftojmë krimin që është bërë në paqe në Kosovë, e ai që është bërë në luftë nga Serbia, e jo të përndjekim ushtarët e UÇK-së”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme