Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

18 vdekje për shtatë muaj në vendin e punës, Azemi kritikon qasjen e shtetit

ndertim

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se në shtatë muajt e parë të këtij viti në vendin e punës kanë vdekur 18 persona.

Sipas tij, pjesa më e madhe e rasteve kanë ndodhur në sektorin e ndërtimtarisë.

Azemi ka deklaruar se këto janë shifrat më të larta që janë regjistruar në një periudhë shtatëmujore.

Ai ka thënë se rastet e vdekjes në vendin e punës ndodhin kudo në botë, por jo në numër kaq të madh sa në Kosovë. Ai ka thënë se shoqëria nuk është duke bërë sa duhet për përmirësim të kushteve të punës.

“Realisht është një çështje e keqe që po ndodh tek ne në vazhdimësi dhe ne si institucione nuk jemi duke bërë atë çka duhet të bëjmë, po flas si Qeveri, si Inspektorat edhe si pronarë të kompanive”, është shprehur ai.

Përveç kësaj, ai ka thënë se familjarët e viktimave nuk marrin asnjë mbështetje financiare nga shteti dhe se me “vdekjen e punëtorit përfundon gjithçka”.

Edhe Për gjashtë muaj, 13 vdekje në vendet e punës Arbëri Për gjashtë muaj, 13 vdekje në vendet e punës

“Në vendet e tjera në momentin kur ndodhin këto raste shteti ka një stimulim, ka një mbështetje financiare për këto familje. Tek ne, në moment kur vdes punëtori ka përfunduar gjithçka”, ka theksuar ai në një deklarim për EO.

Ai ka thënë se si sindikatë kanë bërë kërkesa në vazhdimësi te pushteti që kjo çështje të trajtohet. “Zyrtarisht kemi kërkuar edhe nga ministri i Financave dhe nga kryeministri që të trajtohet kjo temë sepse është temë shumë e rëndë kur punëtorët në moshën me të re humbin jetën”, ka deklaruar ai duke shtuar se kjo është “ndër arsyet përse një pjesë e qytetarëve po duan të ikin nga Kosova”.

“Nuk jemi në nivelin e duhur, kjo vjen si pasojë sepse një pjesë e madhe e punëtorëve të kualifikuar kanë lëshuar Kosovën dhe këto vende të punës po i mbulojnë punëtorët e pakualifikuar, punëtorët të cilët nuk e njohin mirë rrezikshmërinë e punës dhe fatkeqësisht jemi këtu ku jemi”, është shprehur ai./EO