Arbëri

Presidenca nuk jep datë të zyrtarizimit të anëtarit të fundit në KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet me një anëtar mangu, pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ende nuk e ka ftuar për betim, anëtarin që e ka propozuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Zyrtarë të Presidencës nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë se kur do të zyrtarizohet Ibrahim Selmanaj, anëtari i dytë nga Koalicioni PAN.

Portali Koha.net ka kontaktuar të hënën me Artan Behramin, i cili ka kërkuar kohë shtesë që nga zyra ligjore e Presidencës të marrë informata se ku ka mbetur ky proces. Por më pas nuk është lajmëruar në telefon.

Në ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë për Koha.net se ata e kanë dërguar emrin e Ibrahim Selmanajt dhe se janë në pritje të presidentit që ta zyrtarizojë.

Ai tutje shton se me emërimin e këtij anëtari do të kompletohet KQZ-ja, duke marrë parasysh se vendi është në prag të zgjedhjeve.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kohë që ka dërguar emrin e Ibrahim Selmanajt për anëtar të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe presim që Presidenti i Republikës së Kosovës të zyrtarizojë në mënyrë që të bëhet kompletimi i KQZ-së sidomos duke pasur parasysh se jemi në prag të zgjedhjeve të parakohshme”, ka thënë ai.

Vetëm edhe një anëtar i duhet Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) që të kompletohet. Ndonëse pas emërimit të tetë anëtarëve të rinj politikë, ish-koalicioni PAN kishte kërkuar nga presidenti që në KQZ, të përfaqësohen si parti politike dhe jo si koalicion. Një kërkesë e tillë u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e cila mori vendim që si koalicion kishin të drejtë të emëronin vetëm dy anëtarë.

Listës së tetë anëtarëve dhe kryetares Valdete Daka, në gusht iu bashkua edhe anëtari i PDK-së, Ilir Gashi, por që emërimi i tij nuk e kompletoi këtë organ. Kishte mbetur që në mes AAK-së dhe Nisma-s të vendoset se cila do të duhej të dërgonte një anëtar në këtë institucion, një emër për emërim në KQZ e ka dërguar AAK-ja.

Portali Koha.net ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Nisma Socialdemokrate, por ata nuk janë deklaruar për këtë çështje. Valdete Bajrami ka sugjeruar që për këtë çështje të pyetet Endrit Shala, e ky i fundit nuk e ka komentuar fare.

Kujtojmë se për më shumë se një vit Komisioni Qendror Zgjedhor mbeti i bllokuar për shkak të mosemërimit të anëtarëve të këtij komisioni nga ana e presidentit Hashim Thaçi, i cili e kishte zvarritur çështjen e emërimit të anëtarëve të rinj duke thënë se e ka të paqartë se si duhej të vepronte pas rezultatit të zgjedhjeve të fundit, të mbajtura më 2017. Pas presionit ndërkombëtar, Thaçi në mars emëroi tetë anëtarë të këtij Komisioni.

Nga tetë anëtarët e rinj, dy janë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dy nga Lëvizja Vetëvendosje dhe katër nga komunitetet jo shumicë. Ndërkaq koalicioni PAN kishte kërkuar nga presidenti që në KQZ, të përfaqësohen si parti politike dhe jo si koalicion, ngase përfaqësimi si koalicion, do e privonte njërën nga partitë që të sigurojë ulëse në këtë institucion.