KSP: AAK-ja e PSD-ja zyrtarizojnë koalicionin parazgjedhor në orën 15:00 Foto: Koha

Ahmeti e Haradinaj: Jemi bashkuar për t’i fituar zgjedhjet – nuk synojmë PAN 2

Valbon Bytyqi 19 August 2019 13:19
15:29

Kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti, pas takimit që zhvilloi me drejtuesit e AAK-së, në krye me Ramush Haradinajn, tregoi se koalicioni është arritur me synim që t’i fitojnë zgjedhjet.

“Siç është spekuluar, kemi arritur marrëveshje që në zgjedhjet e ardhshme PSD-ja dhe AAK-ja do të garojnë bashkë. Është bashkëpunim edhe politik edhe zgjedhor duke marrë parasysh disa vija të bashkëpunimit më herë e të cilat janë zgjeruar. Ne do të garojmë me një program të përbashkët qeverisës”, tha Ahmeti.

Ai tha se synimi kryesor i këtij bashkëpunimi është t’i fitojnë zgjedhjet me një program të përbashkët qeverisës.

“Bartës i listës sonë të përbashkët do të jetë kandidati i AAK-së, Ramush Haradinaj”, theksoi Ahmeti.

Kreu i AAK-së tha se sot në partinë e tij është votuar me koalicionin parazgjedhor, të parin në Kosovë para zjedhjeve të parakohshme.

“Mendoj se sot jemi më të përgatitur t’i marrim përgjegjësitë për këto zgjedhje. Ne nuk kemi treguar asnjë neglizhencë në përgjegjësitë që i kemi”, ka thënë Haradinaj, duke përmendur kohën e votimit të Ushtrisë kur Lista Serbe lëshoi sallën, por “doli PSD-ja që s’e la të dështojë kjo çështje”.

Ai tha se jemi të hapur për bashkëpunim me Nismën, AKR-në e me parti tjera.

“Nuk synojmë PAN 2, nuk jemi pjesë e skenarëve për një PAN të ri”, tha ai, duke shtuar se dyert i kanë të hapura që t’i dëgjojnë të gjitha propozimet e partive.

15:03

Haradinaj e Ahmeti takohen për të zyrtarizuar koalicionin parazgjedhor

Liderët e dy partive, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Shpend Ahmeti i PSD-së, janë takuar për të zyrtarizuar marrëveshjen për koalicion parazgjedhor.

Lajmi përditësohet pas pak...

13:27

Haradinaj konfirmon koalicionin parazgjedhor me PSD-në e Ahmetit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të partisë, ka konfirmuar se është dakorduar me shumicë votash që të shkohet në koalicion parazgjedhor me PSD-në e Shpend Ahmetit.

“Është votuar në shumicë votash dhe me dy abstenime marrëveshja për koalicion parazgjedhor me PSD-në. Kjo marrëveshje i ka pikat programore, i ka të gjithë çështjet tjera përgatitore për me shku te suksesshëm në zgjedhje”, tha Haradinaj, raporton KTV.

Për takimin e mundshëm me Isa Mustafën, Haradinaj tha se “tash jam i zënë, po e shihni edhe ju, jam në detyra me punë plot nuk kam gjë kundër me taku çdo kënd por duhet me i kry punët”.

13:19

KSP: AAK-ja e PSD-ja zyrtarizojnë koalicionin parazgjedhor në orën 15:00

Image

Ka përfunduar mbledhja e Këshillit drejtues të PSD-së në të cilën pritej të vendosej lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes së koalicionit parazgjedhor me AAK-në.

Pas kësaj mbledhjeje, anëtarë të PSD-së nuk janë deklaruar për media, megjithatë KosovaPress merr vesh se është vendosur që të shkohet në koalicion parazgjedhor me AAK-në.

Madje, këtë marrëveshje pritet që ta zyrtarizojnë sot në orën 15:00 përmes një konference të përbashkët për media dy liderët e partive respektive, Ramush Haradinaj e Shpend Ahmeti.

Komentet

Filani21/08/2019 15:57

Koalicion horrash!

Shto koment

Të ngjashme