Arbëri

Gjimnazisti shqiptar nderohet në Olimpiadën Botërore të Matematikës

Është vetëm 18-vjeç dhe sapo ka triumfuar me medaljen e parë të nderit në Olimpiadën Botërore të Matematikës, e cila u zhvillua në Angli, pak ditë më parë. Igli Mlloja, 18-vjeçari nga Shkodra, ndan për “Shekulli”-n emocionet që ka përjetuar në këtë sfidë, pasionin për matematikën dhe dashurinë e pakursyer ndaj shkencave ekzakte.

“Medalja e nderit në Olimpiadën Botërore të Matematikës është një arritje që të them të drejtën e kam përjetuar edhe njëherë tjetër në Olimpiadën Botërore të zhvilluar në Brazil para 2 vitesh. Padyshim, është arritje e madhe, edhe pse nga vetja prisja shumë më shumë. Duke qenë olimpiadë e niveleve të larta, është e pritshme që niveli të jetë i padiskutueshëm, rrjedhimisht edhe unë i mendoja problemat më të vështira sesa ishin në të vërtetë” shprehet ai. Në fjalën e tij, Igli tregon se ka qenë një pjesëmarrës i rregullt i olimpiadave, dhe gjithmonë është ndarë prej tyre me çmime.

“Kam marrë pjesë në olimpiadat ballkanike dhe botërore të matematikës në të cilat jam vlerësuar me çmime të ndryshme. Jam pjesëmarrës në Kupën Evropiane të Matematikës (European Mathematical Cup 2018) ku kam marrë çmimin e dytë. Po ashtu jam 2 herë pjesëmarrës në olimpiadën iraniane të gjeometrisë dhe në olimpiadën Tournament of Towns, ku kam patur rezultate shumë të mira”, thotë ai.

Literatura

Në fjalën e tij, Igli thotë se një ndër vështirësitë e rrugës së tij, në pjesëmarrjen e olimpiadave, ka qenë sigurimi i literaturave. Ai thotë se një kontribut të madh e kanë dhenë mësuesit e lëndës në gjimnaz dhe më pas Shoqata Shqiptare e Matematikës.

“Në fillim të rrugëtimit mësuesit e matematikës në shkollë na mbanin të angazhuar me ushtrime ekstra gjatë orëve të mësimit dhe jashtë tyre. Më pas, me kalimin e kohës dhe rritjen e nivelit kam punuar në mënyrë të pavarur nga burime online (libra, forume, blogje) dhe vazhdimisht profesorët nga Shoqata Shqiptare e Matematikës na dërgonin teste me ushtrime për t’i zgjidhur”, shprehet ai.

Studimet

Igli, tashmë gjendet në prag të nisjes së universitetit. Ai thotë se studimet e larta ka zgjedhur t’i vazhdojë jashtë, duke qenë se mundësitë janë më të mëdha. “Studimet e larta do t’i vazhdoj në Carnegie Mellon në Katar, një degë e universitetit të mirënjohur amerikan, kryesues i shume listave të rankimit për degën e shkencave kompjuterike (Computer Science) të cilën do e ndjek në 4 vitet në vazhdim”, deklaron ai.

Mes të tjerash, si një ish-gjimnazist, tashmë Igli flet edhe për situatën se si i shikon universitetet në vend.

“Nga mendimi im, joprofesionist mendoj se do duhet kohë që sistemi të rregullohet pasi të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se si në përgjithësi ai u kthye në pazar që para 20-25 vitesh. Besoj fuqimisht se universitetet nuk duhet të shihen si instrumenti që i ofron të ardhmen rinisë, përkundrazi, rinia është vet instrumenti që hedh bazat dhe vendos për të ardhmen e vet. Të gjithë kemi parë për skandalet në lidhje me plagjiaturat dhe mungesën e sinqeritetit akademik në përgjithësi, që sipas mendimit tim duhet të jetë shtylla kryesore e sistemit arsimor. Përveç problemeve të sistemit, edhe njëherë duhen përmendur problemet e të rinjve, shumë prej të cilëve ndjekin drejtime që jodetyrimisht i pëlqejnë apo i kanë pasion, por që janë zgjedhje të imponuara nga të tjerët. Do doja shumë që të rriteshin kushtet dhe selektiviteti i universiteteve në mënyrë që të vendoset cilësia që kërkohet, e krahas kësaj të rritej numri i universiteteve profesionale”, nënvizon ai mes të tjerash.

Pasionet

18-vjeçari tregon se pasioni për matematikën, ka lindur kur ka qenë në shkollën 9-vjeçare. Zgjidhja e problemave për të është sa sfidë, aq edhe argëtim.

“Pasioni për matematikën ka lindur në klasën e VIII. Më pas, në klasën e IX, kam nisur të marr pjesë në të gjitha olimpiadat, duke rezultuar fitues i vendeve të para në shkallë lokale dhe kombëtare. Përveç matematikës, më pëlqen shumë çdo lëndë shkencore në përgjithësi, sidomos fizika dhe informatika”, shprehet ai. Igli thotë se lëndët ekzakte janë të bukura pasi janë koncize dhe nuk mund të interpretohen siç mund të bëhet me lëndët e tjera./Shekulli