Arbëri

Haradinaj thotë se autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka përsëritur qëndrimin e tij se autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet.

Ai në një postim në Facebook ka ndarë me ndjekësit e tij një fotografi me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili sipas tij, gjithashtu pati premtuar ndërtimin e kësaj autostrade.

“Kur pat ardhë Sali Berisha në Kosovë para disa vjetëve, më pat thanë: ‘S’kam me lanë gur pa lëvizë, nëse është nevoja dhe kurrë nuk e lá pa e ndërtu Rrugën e Kombit”! Edhe unë po ju them Dukagjin, Kurrë nuk e lá pa e ndërtu Autostradën e Dukagjinit”, ka shkruar ai në Facebook.

Kujtojmë se vendimi për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit ishte kundërshtuar nga opozita madje edhe nga vetë koalicioni qeverisës.

Para se Haradinaj të jepte dorëheqje, deputeti i Nisma-s, me të cilin ishte bashkë në koalicion, Zafir Berisha, në Interaktiv, pati thënë se kjo autostradë mund të jetë pika ndarëse mes partisë së tij dhe AAK-së.

Ndërkaq për këtë nuk ishte brengosur, atëherë i pari i qeverisë, duke thënë se autostrada është jetike dhe në interes të Kosovës

Autostrada e Dukagjinit do të jetë e gjatë rreth 91 kilometra dhe fillon nga Istogu, kalon nëpër Pejë, Deçan, Junik, Gjakovë, Rahovec dhe përfundon në Prizren, ku lidhet me autostradën “Ibrahim Rugova”. Projekti pritet t’u kushtojë taksapaguesve kosovarë rreth 1 miliard euro.