Arbëri

Haradinajn s’e brengos kundërshtimi i Nisma-s për autostradën e Dukagjinit

Kryeministri Ramush Haradinaj nuk do të heqë dorë nga autostrada e Dukagjinit, edhe pse ky mund të jetë projekti që do ta prishë koalicionin qeverisës, duke e çuar vendin në zgjedhje.

Haradinaj në një konferencë për media ka thënë se autostrada është jetike dhe në interes të Kosovës, raporton KTV.

Ndonëse ka thënë se zgjedhjet janë të shëndetshme, kreu i ekzekutivit është i bindur se Nisma nuk do ta tradhtojë.

Në anën tjetër, deputeti i Nisma-s, Zafir Berisha, në Interaktiv, ka thënë se kjo autostradë mund të jetë pika ndarëse mes partisë së tij dhe AAK-së.

Mirëpo, gjithë këtë diskutim ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, opozita nuk është duke e parë të rrezikshëm për Qeverinë.

Sipas Driton Selmanajt nga LDK-ja, e gjithë kjo është duke u bërë për interesa partiake.

Siç thotë ai, dy palët janë duke tentuar të vjedhin sa më shumë nga projekti i autostradës së Dukagjinit.

Autostrada e Dukagjinit do të jetë e gjatë rreth 91 kilometra dhe fillon nga Istogu, kalon nëpër Pejë, Deçan, Junik, Gjakovë, Rahovec dhe përfundon në Prizren, ku lidhet me autostradën “Ibrahim Rugova”. Projekti pritet t’u kushtojë taksapaguesve kosovarë rreth 1 miliard euro.