Ahmeti: Qeveria PAN 2 do të ishte gjëja më e keqe për Kosovën Foto: Koha

Ahmeti: Qeveria PAN 2 do të ishte gjëja më e keqe për Kosovën

17 August 2019 10:27

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, thotë se gjëja me e keqe për Kosovën do të ishte një PAN 2, pas zgjedhjeve që pritet të mbahen brenda disa javësh.

Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ahmeti thotë se tashmë ka pasur takime me AAK-në dhe LDK-në, mirëpo partia e tij ende nuk ka vendosur nëse do të jetë pjesë e ndonjë koalicioni parazgjedhor.

Ahmeti, partia e të cilit ka 12 deputetë, ka kundërshtuar zërat që e kanë cilësuar PSD-në si patericë të qeverisë Haradinaj kur ka votuar buxhetin si dhe disa ligje tjera. Ai thotë se është i gatshëm të hyjë në një qeveri të përbashkët me gjitha partitë, përveç me PDK-në.

“Kam dëgjuar gjithandej spekulime, por unë si kryetar i subjektit dhe në takimet e kryesisë, nuk kemi marrë asnjë ofertë nga askush për t’u pjesë e qeverisë, pra qysh është spekuluar apo qysh kanë thënë të tjerët. Por, në të njëjtën kohë ne kemi deklaruar edhe publikisht, që për shkak të situatës në të cilën gjendemi dhe pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, nuk do të kishte legjitimitet të mjaftueshëm çfarëdo rotacioni tjetër për krijimin e një qeverie për dy vjet të ardhshme. Prandaj, nuk kemi pasur diskutime, nuk kemi pasur negociata as nuk e kemi pasur gatishmërinë për të hyrë në diskutime të tilla”, thotë Ahmeti.

Ka treguar se deri tash kanë zhvilluar takime me kryetarin e Nismës (Socialdemokrate), dhe gjithashtu edhe me kryeministrin e dorëhequr Ramush Haradinaj.

“Kemi pasur po ashtu takime me deputetë të LDK-së, besoj që tash do të kem takim edhe me kryetarin e LDK-së edhe me kryetarin e AKR-së”, ka thënë Ahmeti.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë

Komentet

Shto koment

Të ngjashme