Arbëri

Junçaj: Në Shqipëri mungojnë memoriale për të vrarët në Kosovë

Prokurori shqiptaro-amerikan, Gjon Junçaj, ka reaguar pas vendosjes së memorialit turk te kodrat e Liqenit artificial, në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë.

Në një status në Twitter, ish-këshilltari ligjor kundër korrupsionit në Ambasadën Amerikane në Tiranë, dhe ekspert i OPDAT, Junçaj, thotë se në Shqipëri mungojnë memoriale për të vrarët në Kosovë apo shqiptarët e vrarë në Mal të Zi, shkruan sot “Koha Ditore”.


Lexoni edhe: 

Memoriali turk shkakton ortek reagimesh në Tiranë


“Të dashur politikanë në Tiranë. Kam dy memorialë për të shtuar tek parku për njerëzit e vrarë jashtë Shqipërisë. 1. Në vitet 1998-1999, mijëra shqiptarë, burra, gra e fëmijë u vranë në Kosovë. Emrat e tyre nuk janë të listuar në parkun publik në Tiranë. Jam i sigurt se mijëra kosovarë që vizitojnë Shqipërinë çdo vit do ta vlerësonin këtë shenjë respekti. 2. Në vitin 1919, 74 shqiptarë u morën nga shtëpitë e tyre në male në Hot dhe u ekzekutuan së bashku nga ushtria e Mbretërisë së Serbisë dhe Malit të Zi. Trupat e tyre u hodhën së bashku në një varr masiv ku mbeten edhe sot e kësaj dite, 100 vjet më vonë. Një prej tyre është stërgjyshi im. Unë dhe të tjerë anëtarë të familjeve të tyre do të donim t’i shihnim emrat e tyre në park”, ka shkruar Junçaj.

“Ne nuk kemi lekë, euro, lira turke apo ndikim politik për të paguar për to”, përfundoi ai.