Të gjitha partitë janë pajtuar që Kuvendi të shpërndahet, VV-ja kundërshton 22 gushtin

Valbona Bytyqi 05 August 2019 19:05

Si pak herë, shefat e grupeve parlamentare, duke e përjashtuar Lëvizjen Vetëvendosje, janë pajtuar mes veti e edhe me kryeparlamentarin Kadri Veseli.

E kjo, për të shpërndarë Kuvendin, e cila nënkupton shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, raporton KTV.

Para shpërbërjes së Kuvendit, partitë politike u pajtuan që më 22 gusht të ratifikojnë marrëveshjen financiare për IPA-në 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, në vlerë rreth 90.5 milionë euro.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje në situata si kjo e cila është krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Por, data e caktuar për ta shpërbërë Kuvendin, është e largët sipas Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetja Albulena Haxhiu tha se kjo hapësirë kohore, krijon mundësi që subjektet politike, përfshirë edhe LDK-në dhe PSD-në, të bëjnë pazare për qeveri teknike ose caktimin e një mandatarit të ri.

Caktimi i datës së shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, është bërë pas refuzimit të ftesës së Presidentit Hashim Thaçi që koalicioni PAN të propozojë një mandatar të ri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme