Arbëri

Gërvalla dëshiron të dijë sa ishin kundër e sa abstenuan në aklamacionin për Mustafën

Ish-anëtarja dhe ish-pretendentja për kryetare të LDK-së, Donika Gërvalla Schwartz, ka shtruar pyetje se sa vota ishin kundër e sa abstenuan në Kuvendin e IX-të zgjedhor të kësaj partie, ku Isa Mustafa u zgjodh kryetar si kandidati i vetëm.

“Pyetje: Me sa vota për, sa kundër dhe sa abstenime u zgjodh dje Isa Mustafa me aklamacion në krye të LDK-së? Edhe kur zgjedhja bëhet me duar të ngritura, ato duar duhen numëruar me pedantëri dhe shënuar në procesverbal. Përndryshe votimi është i pavlefshem dhe duhet përsëritur. Ndoshta dikush nga të pranishmit në sallë mund të na i tregojë numrat”, ka shkruar Schwartz.

Në ditën kur LDK-ja ka mbajtur zgjedhjet e brendshme, Gërvalla Schartz ka qenë goxha aktive në profilin e saj në Facebook.

Në njërin nga postimet e ka shoqëruar me një fotografi të deleve, me mbishkrimin “Qysh jeni? A u lodhët sot?”. Asociacioni i kësaj çon te delegatët e LDK-së, ndonëse ajo vetë nuk e ka shprehur një gjë të tillë.