Arbëri

Hellbach: Nuk është gjë e mençur t’i kthesh miqtë e mirë shumë kundër vetvetes

“Gjermania e ka njohur Kosovën dhe nga ky pozicion e mbështet dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thotë ambasadori Christian Hellbach, drejtor i deritanishëm për Evropën Juglindore pranë Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, shkruan sot Koha Ditore.

Në intervistën e tij ekskluzive për “Kohën Ditore”, në fund të mandatit të tij, Hellbach paralajmëron se përveç kundërshtimit të ndryshimit të kufijve, Berlini kundërshton edhe bllokimin e procesit të dialogut, duke kritikuar kushtëzimin që Qeveria e Kosovës i ka bërë procesit. “Rinisja e dialogut parakupton që të dyja palët t’i qasen njëra-tjetrës dhe të tërhiqen nga kërkesat e tyre maksimale. Është absurde që si parakusht për fillimin e dialogut Serbisë t’i kërkohet ta njohë Kosovën”, thotë Hellbach, duke theksuar edhe se Gjermania nuk ka “asnjë mirëkuptim” për taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.

“E them këtë si përfaqësues i një vendi që është vend mik dhe mbështetës i Kosovës: Kosova mund dhe duhet të marrë vendimet e veta. Por nuk është gjë e mençur t’i kthesh miqtë e mirë shumë kundër vetvetes”, thotë Hellbach, i cili prej gushtit ia ka dorëzuar detyrën znj. Susanne Schütz, ambasadore e deritanishme e Gjermanisë në Tiranë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)