Arbëri

Kurti kërkon shpërbërjen sa më të shpejtë të Kuvendit

Descriptive Text

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, në mënyrë që të hapet rruga drejt zgjedhjeve të reja.

Ai këto komente i bëri gjatë një prononcimi për media, pas takimit që pati me bashkatdhetarë në Kuvendin e Kosovës.

LEXO EDHE: Kryeziu: Kuvendi të shpërbëhet, Kosovës i duhet rilegjitimim urgjent i forcave politike

Kurti tha se duhet të thirret një seancë për shpërndarjen e Kuvendit dhe se votimi me dy të tretat e deputetëve do të duhej të jetë vetëm çështje teknike.

Ai e ka quajtur të dëmshëm njoftimin e kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj për mbledhje të qeverisë, pas kthimit të këtij të fundit nga Haga, ku ishte marrë në pyetje nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

"Qeveria ka rënë. Besoj që Kuvendi duhet të shpërndahet dhe sa më parë të shkojmë në zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike, në mënyrë që të kemi një qeveri të re dhe legjitimitet për institucionet e shtetit... Unë nuk besoj se duhet të ketë pengesa për një seancë në të cilën do të shpërndahej Kuvendi. Meqenëse subjektet politike janë deklaruar për zgjedhje të parakohshme, atëherë ose duhet të shpërndahet Kuvendi ose do të kuptohet se dikush nuk e ka pasur njëmend ", paralajmëroi Kurti.

Ai tha se Kosova duhet të jetë mirënjohëse ndaj bashkatdhetarëve të saj, pasi ata e duan atdheun e tyre pavarësisht gjendjes politike dhe socio-ekonomike që po mbizotëron, transmeton ksp.

Sipas tij, qeveria e re duhet t'iu mundësojë bashkatdhetarëve që të votojnë lirshëm në ambasadat e Republikës të Kosovës.

"Këta bashkatdhetarë e mundësuan luftën çlirimtare para më shumë se dy dekadave, ndërkaq edhe para luftës, edhe pas luftës po e mirëmbajnë paqen sociale. Ne kemi obligim ndaj tyre, së pari duke ua mundësuar që të votojnë lirshëm nëpër ambasadat e Republikës të Kosovës, së dyti duke u siguruar arsimtarët më të mirë që ka kombi shqiptar të gjuhës shqipe për fëmijët e tyre dhe së treti, duke siguruar lehtësime tatimore për bashkatdhetarët tanë", tha Kurti.