Arbëri

“Zmobile” e dërgon Telekomin te përmbaruesi, TK thotë se s’ka para për të shlyer borxhin

Foto: Driton Paçarada / Koha

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se sot kanë pranuar Propozim Përmbarimin nga kreditori “Dardafon.net” LL.C (Zmobile).

Telekomi i Kosovës thotë se në cilësinë e debitorit, sipas këtij njoftimi, i obligohet kreditorit me 25.000.000 EUR (njëzet e pesë milion euro), vlerë kjo që pritet të saktësohet pas ekspertizës financiare, ku pritet të kalkulohen edhe kamatat.

TK thotë se si bazë e kërkesës përmbarimore është Vendimi i Arbitrazhit (ICC) 20990/MHM.

Por, Telekomi i Kosovës thotë se në këtë gjendje në të cilën ndodhet, “gjasat janë minimale për të kryer një transaksion të kësaj vlere”.

“Telekomi i Kosovës do të ndjekë të gjitha rrugët dhe mjetet ligjore, që të prapësohet ky Propozim Përmbarim. Po ashtu do të njoftohet edhe në mënyrë zyrtare vetë Aksionari për këtë rast”, thuhet në njoftimin e Telekomit të Kosovës.

Veprimet e ndërmarra nga ana e Dardafon.net, Telekomi i Kosovës konsideron se janë të njëanshme dhe të paanalizuara për efektet që mund të kenë dhe si të tilla “janë të papranueshme për Telekomin e Kosovës, e aq më tepër në kohën kur është duke u biseduar/negociuar në mirëbesim për mundësinë e të qenit partnerë edhe në të ardhmen (kuptohet duke respektuar MSA-në ekzistuese deri në skadencë të plotë)”.

“Një akt i tillë do krijonte një situatë gati të paimagjinueshme dhe rrjedhimisht një kolaps në operime, humbje të besimit ndaj partnerëve, furnitorëve dhe vetë klientelës së Telekomit të Kosovës. Pasiguria rreth të ardhmes së Telekomit të Kosovës do ketë ndikim direkt tek vetë punëtorët, të cilët demotivimin do ta reflektojnë direkt në krijimin e një krize të brendshme, e që lidhet zinxhir edhe me vetë gjendjen sociale dhe ekonomike në Kosovë”, thuhet më tej në këtë komunikatë, raporton Koha.net.

“Pasiguria dhe paqëndrueshmëria e Telekomit të Kosovës nënkupton se efekti negativ i këtij veprimi është për keqardhje dhe me pasoja të pariparueshme”, përfundon kjo kompani.