Bajrami: Operatori privat për homologim, plaçkë për qytetarët

Qeverinë e ardhshme e shohim me opozitën e tanishme, thotë Bajrami

25 June 2019 23:43
00:07

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se nuk ka hapësirë për strategji, siç kërkon PSD-ja, për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

“Nuk ka strategji. I kemi 58 vota, na duhen edhe tri. Kaq. Strategjia do të nënkuptonte qe ne të flasim për ndarjen e pushtetit pas zgjedhjeve. Ne si parti natyrisht se nuk do të futemi në këso pazari”, ka thënë Bajrami në Interaktiv të KTV-së.

Megjithatë, Bajrami ka thënë se “Qeverinë e ardhshme e shohim me opozitën e tanishme”.

E pyetur nëse kur flet kështu po e mendon edhe PSD-në, përveç Vetëvendosjes, Bajrami ka thënë se duhet shikuar modalitet dhe duhet pritur verdikti qytetar.

“Aktualishit Kosova ka nevojë që pushtetin e tanishëm ta çojë në opozitë, pikërisht për këto dy vitet e fundit të qeverisjes. Pastaj duhet shikuar se se si do të shkojmë në zgjedhje, bashkë a ndaras, e më pas si do të bëhet qeveria e vendosin qytetarët”, ka thënë Bajrami.

00:02

Për Bajramin, karriget në kuvende zgjedhore tregojnë se në LDK ka garë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se nuk e se pse po ndodhin incidentet në kuadër të zgjedhjeve të brendshme të partisë.

“Ndoshta kjo është arsyeja pse në LDK ka garë. Jemi partia e vetme ku ka garë, ku për secilën pozitë ka kundërkandidat. Në partitë e tjera nuk ka zgjedhje, ka vetëm emërime”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka thënë se konfliktet po nxiten nga subjektet e huaja.

“Duke parë edhe sondazhet, dhe duke qenë të bindur edhe oponentët e LDK-së që do të jetë bindshëm partia e parë, natyrisht që synojnë të ndërhyjnë ta prishin. LDK-ja është parti e madhe, dhe ka vend për të gjithë. Ndoshta të gjithë nuk do të jenë në Kryesi të partisë, e delegatë, por ka vend për të gjithë”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka thënë se nuk pret që këto incidente të reflektojnë në Kuvendin e Përgjithshëm.

“Nuk e besoj, sepse jemi të bindur se këto incidente janë të nxitura prej njerëzve nga jashtë. Nuk i frikohemi Kuvendit zgjedhor, sepse jemi të bindur se do të shkojë mirë”, ka thënë Bajrami.

23:51

Bajrami: Rugova e ka konfirmuar votën për rrëzimin e Qeverisë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se po presin votë nga dikush në pozitë për rrëzimin e Qeverisë.

“Kërkesën për mocion s’e kemi bërë për show, po presim dikush nga pozita t’i thërras mendjes e t’i themi po rrëzimit të Qeverisë. Me 58 vota s’mund ta rrëzojmë qeverinë. Jemi në një situatë ku as qeveria s’i ka votat”, tha ajo në Interaktiv të KTV-së.

“Kur kryeministri nuk i ka votat, kërkon mocion votëbesimi. Kemi rastin e Theresa May. Por ne, po e presim dikë që ta japë votën për mocion mosbesimi”, tha ajo.

Bajrami tha se e kanë edhe votën e Teuta Rugovës për rrëzimin e Qeverisë.

“58 nënshkrime, përfshirë Rugovën, i kemi të konfirmuar”, tha ajo, duke shtuar se megjithatë janë në fazë të konsultimeve.

23:43

Bajrami: Operatori privat për homologim, plaçkë për qytetarët

Monopoli për homologim sot ka përplasur deputetët e Kuvendit të Kosovës me ministrin e Infrastrukturës Pak Lekajn. Kritikave të deputetëve për monopolin e kompanisë EuroLab në homologim, Lekaj u është përgjigjur duke i fajësuar ata për ligjin, të cilin tha se e ka nënshkruar ish-ministri Lutfi Zharku.

Sot në këtë Komision u zhvilluar debat i ashpër mes Lekajt e deputetit Glauk Konjufca, pasi ky i fundit e pyeti se sa para ka marrë nga EuroLab. Kritikave ndaj Lekajt u është bashkangjitur deputetja Hykmete Bajrami, sipas së cilës, janë krijuar rrethanat që monopoli të mbetet, kritika që Lekaj iu përgjigj duke e pyetur se pse nuk e ka ndryshuar ajo sa ka qenë në pozitën e ministres.

Në Interaktiv të KTV-së, Bajrami tha se “kemi të bëjmë me një qeveri të papërgjegjshme”. Ka thënë se patjetër, duhet të ndërrohet udhëzimi administrativ.

“Edhe sot mbledhja përfundoi pa asgjë, insistuam që të paktën në komision të votohej por kjo s’ndodhi. Çështjen e homologimit e kemi ngritur nga 2018-ta, muaji prill, që hyri në fuqi 7 ditë pas nënshkrimit. Personalisht kam reaguar, sepse ka pasur kundërshtime qysh atëherë”, tha ajo.

Sot, para mbylljes për media të mbledhjes, pati edhe një kërkesë të deputetes Bajrami drejtuar ministrit Lekaj, që të shfuqizojë udhëzimin administrativ 02/2018, kërkesë që nuk u pranua nga Lekaj.

Bajrami, deputete e LDK-së, tha se ligji i ri i automjeteve “e hap tregun në fushën e homologimit”.

“Sot bisedat nuk ishin konstruktive. Në ligjin për automjete askund nuk thuhet se duhet të mbahet monopoli. Ky ligj nuk thotë në asnjë nen që një operator duhet ta kryejë homologimin në Kosovë. Ligji i ka paraparë disa kushte, sot në Kosovë i kemi mbi 110qendra të kontrollit teknik, kjo u jep mundësi për të kryer homologimin”, tha ajo.

Ajo tha se ideja e ligjit për automjete është që të rritet konkurrenca. Tha se askund në rajon në këtë fushë nuk ka monopol, sepse i kryejnë institucionet.

Bajrami, tha se kontrata ka qenë arsyeja pse në mandatin e tyre nuk e kanë ndërprerë monopolin për homologim.

Ajo mohon se ky ligj, që Lekaj thotë është bazuar në atë të vitit 2017, është i njëjtë.

“Me kontratën aktuale që skadon me 1 korrik, operatori aktual merr 5 euro në secilën qendër ku bëhet kontrolli. 5 euro shkojnë për kompaninë që e kryen homologimin”, tha ajo.

Deputetja Bajrami, tha se me këtë ligj, çdo veturë që vjen në Kosovë, e re apo e vjetër, duhet ta bëjë patjetër homologimin.

“Udhëzimi administrativ duhet të ndërrohet menjëherë”, tha ajo, duke shtuar se ai operator që dëshiron të futet duhet të ketë së paku 5 vjet përvojë në homologim.

Ka thënë se operatori privat që Qeveria ia ka dhënë ekskluzivitetin, po plaçkitë qytetarët.

“Është një kompani private që punon me vulën e Republikës së Kosovës dhe plaçkitë qytetarët”, tha ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme