Arbëri

Kurti: Prokurorë me flladitëse

Janë bërë 2 muaj që kur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, bashkë me shefin e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufcën, paditën për dëshmi të rrejshme presidentin Hashim Thaçi e kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Padia është bërë në Prokurori. Sipas Kurtit, në seancën e cila është mbajtur më 28 dhjetor 2018, për rastin ‘Syri i Popullit’, Thaçi dhe Veseli nën betim kishin shpifur për të, Glauk Konjufcën dhe Sadri Ramabajën, raporton Koha.net.

Kurti thotë se as sot pas 2 muajsh, nuk janë thirrur nga Prokuroria.

“Prokurorë me flladitëse”, i ka quajtur Kurti në një postim në Facebook.

“Askush nuk na thirri as sot, nga prokuroria e shtetit. U mbushën dy muaj që me Glaukun patëm dorëzuar kallëzimin penal. Presidenti i Kosovës dhe Kryetari i Kuvendit kanë gënjyer e shpifur nën betim. Në procesin gjyqësor kundër kinse pjesëtarëve të organizatës së ashtuquajtur "Syri i Popullit", më 28 dhjetor 2018, kanë thënë një mal me të pavërteta. Prej asaj se dora ime dhe e Glaukut i paska shkruar komunikatat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, te veshi i Presidentit që paska dëgjuar urdhër për vrasje nga ne, e deri te njëfarë krahu i armatosur i VETËVENDOSJE!-s”, ka shkruar Kurti.

“Gjuha është prej tulit e letra duron gjithçka, por kur krerët e institucioneve gënjejnë në gjykatë porsa japin betimin se do flasin të vërtetën, kjo sigurisht se do të duhej t'ishte detyrë fort interesante për prokurorët. Ama jo edhe për këta tanët, meqë asnjëri, ama bash asnjëri, ende nuk na thirri, asnjërin prej neve dyve, as në ditën kur filloi muaji i tretë i moskokëçarjes së tyre. Thua se këta prokurorë populli ynë i varfër po i paguan veçse për t'u bërë fresk kriminelëve?!”, përfundon Kurti.