Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministrat e 13 vendeve të BE-së mbështesin integrimin e Ballkanit Perëndimor

Ministrat e Jashtëm të 13 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, përmes një deklarate të përbashkët, kanë përsëritur mbështetjen e vazhdueshme për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Në deklaratë, i bëhet thirrje Këshillit të Bashkimit Evropian, që në takimin e qershorit, të marrë vendim për hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Fillimi i negociatave në qershor të vitit 2019 do të kontribuojë në forcimin e qëndrueshmërisë së vendeve ndaj interesave të jashtme, dhe të dëmshme, të aktorëve të tjerë, dhe do të sigurojë që BE-ja do të vazhdojë të jetë lojtari kryesor për një transformim pozitiv të rajonit”, thuhet në deklaratë, transmeton rel. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shefat e diplomacisë së 13 vendeve anëtare të BE-së, theksojnë se është thelbësore të vazhdohet me procesin e integrimit të Ballkanit Perendimor, dhe sipas tyre, krahas me këtë proces, nuk ekziston plani B.

“Është thelbësore për të siguruar përparimin e përgjithshëm të rajonit. BE-ja duhet të përmbushë angazhimin e saj të qartë për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Nuk ka plan B”, thuhet në deklaratë.

Deklarata është nënshkruar nga ministrat e Jashtëm të Çekisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Hungarisë, Bullgarisë, Italisë, Polonisë, Maltës, Austrisë, Kroacisë, Sllovenisë dhe Sllovakisë.

Kjo deklaratë vjen në kohën kur vendet anëtare të BE-së janë të ndara sa i përket hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e pakushtëzuar të negociatave të anëtarësimit ndërmjet Brukselit e Shkupit dhe Tiranës.

Debati në Këshillin e Bashkimit Evropian do të mbahet gjatë muajit qershor, megjithatë, për shkak se këto çështje kërkojnë pajtim mes shteteve anëtare të BE-së, në këtë moment, nuk ka qëndrim të përbashkët të BE-së për të konfirmuar rekomandimin e Komisionit Evropian.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker më parë pranoi se tani për tani nuk ka konsensus në mesin e shteteve anëtare për miratimin e hapjes së negociatave për anëtarësim.