4 perditesime
17:42

Haradinaj, Clintonit: Mirë se erdhe në shtëpinë tënde

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ish-Presidentin amerikan, Bill Clinton.

Clinton po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në shënimin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se Clintoni është kthyer në shtëpinë e tij dhe se për shqiptarët është njeriu më i dashur.

Postimi i Haradinajt:

Ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen! Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe tek populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur, President Bill Clinton. Falë vendosshmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës! Falë kësaj kthese historike, fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën! President Clinton, faleminderit dhe përjetë mirënjohës për ju dhe popullin Tuaj.

Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë Kosovën!

17:00

Clinton: Bota duhet ta shohë Kosovën si vend të demokracisë

Me nderime shtetërore është pritur sot në Kosovë ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka nderuar ish-presidentin amerikan me medaljen Urdhri i Lirisë në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës nga forcat serbe, transmeton kp. 

Clintoni me këtë rast tha se e gjitha bota duhet të shohë Kosovën si vend të demokracisë.

"E gjithë bota sot, në gjithë këtë trazirë duhet ta shohë Kosovën si vend të demokracisë, i përkushtuar të përmirësohet e të rritet dhe të jetojnë në paqe me fqinjët, që është diçka për të cilën duhet të punojë çdo shtet, i madh e i vogël , brenda dhe jashtë kufijve të tyre. Mendoj që e keni mundësinë të bëheni shembull i botës edhe për 20 vjet tjera", tha Clinton.

Bill Clinton tha se është krenar që ishte president në kohën kur populli i Kosovës kishte nevojë duke theksuar se çfarë është arritur deri më sot është dhe falë vendimit të popullit kosovar për të ndërtuar shtetin, shoqërinë dhe qeverinë dhe për të ecur drejt paqes.

I pyetur për dialogun Kosovë Serbi së cili është mesazhi i Clinton, ai pati këtë përgjigje.

"Kosova e meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatë tjetër në cilën mund të jetë çdo shtet i pavarur", tha ai.

Në kabinetin e tij, prej ku i ndau dekoratën Urdhrin e Lirisë presidenti i Kosovës e falënderoi Clintonin dhe SHBA-në për kontributin e dhënë për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj.

Ai e quajti ish presidentin amerikan hero të Kosovës.

"Sot pas 20 vitesh Kosova është e pavarur, gjatë tërë këtij rrugëtimi kemi ecur së bashku me ju, mbështetja juaj ka qenë jetike për lirinë pavarësinë dhe tash në rrugëtimin euroatlantik, andaj tregimi e Kosovës është tregim i suksesit të përbashkët. Ju jeni heroi ynë dhe iu falënderoj shumë-shumë në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës. Duke u bazuar në kompetencat e mia si president i Kosovës, edhe si mik i juaji, sot ndaj çmimin në emër të institucioneve të Kosovës, Urdhrin e Lirisë, nuk ka çmim që mund të shpërblejë atë kontribut tuaj, është liria e vendit të Kosovës që ka reflektuar me paqe dhe stabilitet në Ballkanin perëndimor", tha Thaçi.

Clinton ka ardhur në Kosovë mëngjesin e sotëm. Pas takimit me Thaçin ai u prit nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Clinton do të marrë pjesë nesër në manifestimin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

15:54

Clinton dekorohet me Urdhrin e Lirisë

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton është dekoruar me Urdhrin e Lirisë për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës.

Në ndarjen e kësaj dekorate, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se populli i Kosovës është tejet mirënjohës për vendimin që Clinton kishte ndërmarrë më 1999 për të nisur bombardimet ndaj forcave serbe dhe për të çliruar popullin e Kosovës.

Presidenti Thaçi tha me këtë rast se nuk ka çmim që mund ta shpërblej kontributin e Clinton për lirinë e popullit shqiptar të Kosovës.

Në anën tjetër ish presidenti amerikan tha se Kosova është shembull i demokracisë dhe përkushtimit për të rritur dhe për të jetuar në paqe me fqinjët.

“Kosova meriton të jetë në Unionin Evropian dhe në NATO si shtet i pavarur", tha ai.

15:05

Thaçi takon Clintonin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në presidencë ish-presidentin amerikan Bill Clinton.

Clinton po qëndron në Kosovë për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë dhe çlirimin e vendit.

12:18

Bill Clinton mbërrin në Kosovë

Image

Ish-presidenti amerikan Bill Clintion ka arritur në Kosovë.

Ai në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” është pritur nga zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli dhe ish presidentja Atifete Jahjaga.

Clinton është ftuar që të marrë pjesë në shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë dhe çlirimin e vendit nga forcat pushtuese serbe.

Bill Clinton në vitin 1999 ka qenë president i SHBA-së dhe ka qenë njëri ndër personat vendimtarë për intervenimin e NATO-s në Kosovë.

Në shënimin e 20 vjetorit të çlirimit në Kosovë do të qëndrojë edhe Madeleine Albright e cila në vitin 1999 ishte sekretare e shtetit amerikan.