​Pacolli: E kemi ndalur komunikimin me UNMIK-un – Daçiqi, gënjeshtar dhe falsifikues Foto: Driton Paçarada / Koha

​Pacolli: E kemi ndalur komunikimin me UNMIK-un – Daçiqi, gënjeshtar dhe falsifikues

10 June 2019 21:48

Shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj raportit të UNMIK-ut të prezantuar sot në OKB dhe ndaj ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Pacolli tha se shteti i Kosovës e ka ndalur komunikimin me UNMIK-un dhe, siç thotë ai, “për sa kohë që nuk e sqarojnë situatën në nuk do t'i konsiderojmë miqësore ndaj Kosovës”.

“Ne e kemi ndalur komunikimin me UNMIK-un dhe për sa kohë që nuk e sqarojnë situatën në nuk do t'i konsiderojmë miqësore ndaj Kosovës. Imazhi i UNMIK-ut është për keqardhje sot”, tha Pacolli në një postim në Facebook.

Raportimin e shefit të UNMIK-ut, Zahir Tanin, para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Pacolli e quajti të “papranueshëm”, ndërkaq tha se Tanin nuk tregoi keqardhje për sjelljen e papranueshme të stafit të tij.

“Momentin kur një mision ndërkombëtar përdoret për të krijuar pengesa në sundimin e ligjit dhe rendit dhe ndaj shtetit të Kosovës ata do të marrin gjithmonë përgjigjen e njëjtë. Kosova nuk ndjen keqardhje, ne kemi vepruar si shtet dhe si i tillë do të bëjmë gjithë kohën. Stafi i UNMIK-ut po shkel ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara. Një zyrtar pengon policinë dhe një tjetër është kapur duke vjedhur. UNMIK duhet të merret veten dhe jo me Kosovën. Ne e kemi ndalur komunikimin me UNMIK-un dhe për sa kohë që nuk e sqarojnë situatën në nuk do t'i konsiderojmë miqësore ndaj Kosovës. Imazhi i UNMIK-ut është për keqardhje sot”, potencoi Pacolli.

Ndër të tjera, kryediplomati kosovar pati fjalë të rënda edhe për homologun e tij serb, Ivica Daçiq, të cilin e quajti “gënjeshtar” dhe “falsifikues”.

“E dënoj falsifikimin dhe gënjeshtrat e turpshme të Ivica Daçiq të paraqitur sot në takim. Kosova kurrë nuk ka sulmuar askënd, operacionet policore të Kosovës janë për të forcuar sundimin e ligjit dhe rendin. Kosova nuk ka mentalitetin e Beogradit për të sulmuar dikend. Kosova kurrë nuk do të luajë këto lojëra. Ne kemi forcat tona të sigurisë dhe të mbrojtjes që janë multietnike dhe u shërbejnë të gjitha komuniteteve dhe janë nën kontroll të plotë demokratik. Secili duhet të ketë frikë nga mbeturinat e Millosheviqit në strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes së shtetit serb. Ata janë rrezik për paqëndrueshmërinë rajonale që disa dekada”, theksoi Pacolli.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme