Arbëri

Matoshi kërkon që taksa ekologjike të jetë bazuar në dëmin që ia shkaktojnë veturat mjedisit

Foto: Koha / ilustrim

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka kërkuar nga ministri i Financave, Bedri Hamza plotësim-ndryshimin e ligjit për taksën rrugore dhe ekologjike duke shtuar se pagesa duhet të bazohet në dëmin që i shkaktohet mjedisit vetura dhe jo që ajo të jetë fikse.

“Ligji aktual për Taksën Rrugore dhe Ekologjike për Automjete kategorizon veturat vetëm në bazë të peshës sa i përket nivelit të pagesës, ku veturat deri në 3.5 tonë paguajnë taksë ekologjike 10 euro, kurse veturat e mbi 3.5 tonë paguajnë shumën prej 30 euro. Sipas këtij ligji taksa ekologjike ka për qëllim ngritjen e cilësisë së mbrojtjes së Ambientit, andaj pagesa për këtë taksë duhet të bëhet në proporcion më dëmin që shkaktojnë veturat në mjedis”, ka thënë Matoshi.

Matoshi ka deklaruar që ligji aktual në aspektin e pagesës i trajton të gjitha veturat njëjtë duke përfshirë ato hibride dhe elektrike, të cilat janë më miqësore me mjedisin, dhe "si të tilla duhet të kenë lehtësira në nivelin e pagesës për taksen ekologjike".

“Rishikimi i këtij ligji dhe harmonizimi me parimet dhe politikat progresive mjedisore do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe zhvillimin e ekonomisë së gjelbër në shtetin tonë”, ka vlerësuar më tej ai.

Në anën tjetër, sipas njoftimit nga MMPH, Hamza ka thënë se do ta mbështesë këtë iniciativë dhe ky plotësim ndryshim i këtij ligjit do të futet në planin legjislativ të vitit 2020.

Në takim Matoshi e Hamza kanë biseduar edhe për projektin e ndërtimit të impiantit për trajtimin e ujërave te zeza në komunën e Gjilanit.

“Si ministër i mjedisit e vlerësoj shumë nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujerave të zeza në Komunën e Gjilanit, projekt ky i cili do të këtë ndikim të madh në mbrojtjen e shëndetit të qytetareve, lumenjve dhe mjedisit në përgjithësi”, deklaroi Matoshi.