Arbëri

Rama thërret Kryesinë e PS-së dhe ambasadorët e huaj, mëton shkarkimin e Metës

Kryeministri Edi Rama, ka thirrur sot në një mbledhje kryesinë e Partisë Socialiste në orën 09:00. Në takim pritet që të diskutohet çështja e shtyrjes së zgjedhjeve lokale nga presidenti Ilir Meta.

Ndërkohë, një ditë më parë nga Burreli, shefi i qeverisë paralajmëroi se me vendimin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, Ilir Meta ka humbur të drejtën që të qëndrojë në zyrën e Presidentit, një çështje sipas tij që mbetet për t’u diskutuar.

“Ilir Meta shkroi fatin e tij si President, që humbi të drejtën që të qëndrojë në atë zyrë. Është në zhvillim e sipër, por ata që udhëheqin lëvizjen ‘Rama ik!’, do ikin vetë”, paralajmëroi shefi i qeverisë një ditë më parë nga Burreli.

Gjithashtu, në orën 11:00 kryeministri Edi Rama do të bëjë një mbledhje urgjente me ambasadorët e akredituar në Shqipëri. Takimi do të bëhet në kryeministri, dhe vjen menjëherë pas konferencës së jashtëzakonshme të presidentit Ilir Meta që firmosi shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve, anulimin e tyre pa afat, dhe caktimin sipas tij të një date të re me marrëveshje politike.

Ndërkohë që në orën 10:00 ambasadorët do të zhvillojnë një takim me ambasadorin e BE në Shqipëri Luigji Soreca.