Shoqata Sindikale e Shërbimit Civil të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës, përmes një komunikate për media ka paralajmëruar ndërmarrje veprimesh sindikale kundër trajtimit të kundërligjshëm e diskriminues të tyre nën petkun e reformës në këtë ministri, transmeton Koha.net.
Në komunikatë theksohet:
“Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Shoqatës Sindikale të shërbyesve civilë të MASHT-it, u shqyrtuan një varg problemesh me të cilat po ballafaqohen punonjësit e MASHT, thuhet në fillim të kumtesës së kësaj sindikate, e cila vazhdon me pohimin se shoqata edhe njëherë theksoi se nuk është kundër riorganizimit të MASHT dhe ndërmarrjes së reformave për përmirësimin e gjendjes së arsimit në vend, por kjo nuk e mbështet mënyrën kundërligjore me të cilën ministri, kabineti i ministrit dhe sekretari i përgjithshëm po tentojnë ta realizojnë këtë “reformë”.
Shoqata Sindikale ka vërejtur se ky proces ka kaluar nëpër një varg shkeljesh ligjore, të cilat janë ndërmarrë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, me Ligjin për Shërbyesit Civilë të Kosovës, rregulloret e dala nga ky ligj si dhe vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë.
Bazuar në një varg ankesash të ardhura nga anëtarët e sindikatës, është vërejtur se është shënuar një degradim i zyrtarëve të kësaj ministrie, duke mos i marrë për bazë kërkesat për rregullimin e koeficientëve të pagës në bazë të legjislacionit në fuqi.
Sindikata ka analizuar se shkeljet e qëllimshme dhe keqinterpretimi i normave te legjislacionit ne fuqi po vijon edhe këto ditë me vendimmarrje nëpër proces kundërligjor, sekret dhe diskriminues, duke shkelur parimin ligjor të barazisë së punonjësve të MASHT para ligjit.
Shoqata Sindikale që nga themelimi ka dërguar te sekretari Kastrati disa kërkesa të bazuara në legjislacionin në fuqi dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar të respektohet shoqata sindikale si palë juridike, që t’i kthehen ligjshmërisë dhe ky proces të përfundohet me sukses, por deri tash nuk ka hasur në mirëkuptimin e tij.
Shoqata Sindikale që nga themelimi i saj ka kërkuar takim me ministrin Bytyçi për t’i diskutuar çështjet nëpër të cilat po kalon MASHT-i, por kjo kërkesë nuk është realizuar deri më sot.
Meqenëse asnjë kërkesë e organizatës sindikale nuk është marrë parasysh dhe meqenëse janë shënuar shkelje flagrante të të drejtave elementare njerëzore sipas Kushtetutës së vendit dhe shkelje të të drejtave të punës të garantuara me Ligjin e Punës dhe ligjet tjera, meqenëse një pjesë e stafit të MASHT po i nënshtrohen keqtrajtimin psikologjik, moral dhe etik, meqenëse shumë personave po iu shkelet dinjiteti profesional dhe personal, meqenëse tashmë të punësuarit po kërcënohen, kjo Shoqatë Sindikale dëshiron ta paralajmërojë Qeverinë e Kosovës dhe opinionin e gjerë se, nëse këto shkelje ligjore, ky trajtim jodinjitoz dhe johuman nuk ndalet, do të ndërmarrë të gjitha masat sindikale të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, ligjet në fuqi dhe konventat ndërkombëtare.
Dëshirojmë ta njoftojmë opinionin dhe Qeverinë se ky është paralajmërimi i fundit që iu bëhet MASHT-it dhe organeve qeveritare, përfundon komunikata”.