20:55

Gjini: Opozita s’e ka seriozisht mocionin për rrëzimin e Qeverisë, Haradinaj e çon mandatin në fund

Ardian Gjini, nënkryetar në AAK njëherësh kryetar i Gjakovës në Rubikon të KTV-së ka folur edhe për takimet e opozitës, krerët e VV-së, LDK-së e PSD-së, për përgatitjet e para për mocionin e rrëzimit të Qeverisë në krye me Ramush Haradinajn.

Gjini ka thënë se ata nuk e kanë fare seriozisht këtë mocion.

“Iniciativa për mocion ka pasë që prej shtatorit të vitit 2017. Kanë thënë qysh në fillim se këtë qeveri se zënë 6 muaj. Kanë thënë i kanë 58 vota, e këto vota i kanë prej fillimit. Nuk besoj se e kanë seriozisht, s’besoj qe do të ndodhë”, tha Gjini.

Gjini ka shtuar se nuk kanë interes asnjëra parti në opozitë për të shkuar në zgjedhje.

“VV-ja mendon që s’mund të dalë e para e nuk ka interes të shkojë e 2-ta, në fakt as e 2-ta s’del. As LDK-ja s’del e dyta. Pra, s’ka interes as brenda atyre partive”, tha tutje.

Gjini ka thënë se AAK-ja synon të dalë e para.

“E bazojmë në shumë analiza e sondazhe, presim të ngritemi”, tha tutje.

Gjini u shpreh i bindur se Qeveria Haradinaj e çon mandatin deri në fund.

“Qysh ja kanë nis ata, kjo qeveri do të qeverisë deri në fund të mandatit”, tha ai.

Gjini, përsëri shprehi bindjen se opozita s’ka interesim për të shkuar në zgjedhje.

Ka folur për PSD-në, për të cilët thotë se shpeshherë është kundër, por thotë se votat e tyre të kushtëzuara kanë ndihmuar Qeverinë në çuarjen përpara si të buxhetit e disa tjera.

“Është normale opozita me kushtëzua qeverinë në projekte të mëdha. Edhe në vendet më demokratike ndodh kjo”, tha tutje.

Gjini ka folur ndër tjera edhe për autostradat, për çka kjo Qeveri është kritikuar vazhdimisht kryesisht nga opozita.

“Kosova duhet të ketë autostrada, janë tejet të rëndësishme. Autostrada e Dukagjinit është më e rëndësishmja që ka mbet m’u përfundu”, tha ai, duke mos pranuar se kanë kosto të lartë.

Ardian Gjini, nënkryetar i AAK-së, kur ka folur për Tribunalin ka thënë se Kosova vet nuk mund të krijojë Tribunal Ndërkombëtar.

“Vet fjala Ndërkombëtar tregon. Këtë e dinë të gjithë. Premisat themelore janë se ne mund t’i drejtohemi instancave ndërkombëtare, por vet, jo”, tha ai.

20:46

Gjini: Deklaratat e politikanëve s’mund të dëmtojnë marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve

Ardian Gjini, nga radhët e AAK-së, ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve nuk mund të dëmtohen me deklaratat e politikanëve.

Megjithatë, ai ka pranuar se ato sjellin dëme të tjera.

“Marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve nuk mund të dëmtohen me deklarata të politikanëve. Por, dëme të tjera mund të shkaktojnë këto deklarata”, ka thënë Gjini në Rubikon të KTV-së.

Tutje ai ka komentuar edhe deklaratën e presidentit Hashim Thaçi për shkuarjen e Haradinajt në shtëpinë e Radojiçiqit.

“Nuk e di që Haradinaj ka shkuar në shtëpi të Radojiçiqit, nuk e kuptoj nevojën e Presidentit me dhënë kësi deklarata të ulëta. Mendoj se këto janë të panevojshme. Nuk e kuptoj nevojën se përse duhet të flitet për këto”, ka thënë Gjini.

Kreu i komunës së Gjakovës gjithashtu ka folur edhe për korrigjimin e kufijve, një temë kjo që kishte përplasur kryeministrin Haradinaj dhe presidentin Thaçi.

“Korrigjimi i kufijve s’duhet të jetë asgjë personale. Shumica e qytetarëve të Kosovës besojnë se ideja e shkëmbimit të territoreve është e gabueshme”, u shpreh ai.

Gjini thotë se Kushtetuta nuk e përcakton se kush mund të udhëheqë dialogun, por mund të krijohen ekipe negociatore.

“Ajo që ka ndodhë me zonjën Mogherini nuk është pjesa më e rëndësishme. Ajo gatesë tashmë është prishë. E gatesa e re bëhet me formate të tjera, tani kemi ekip negociator. Presidenti mundet me iu pri negociatave, por kjo nuk do të thotë të përjashtohen institucionet e tjera”, u shpreh Gjini.

Kurse mospërfshirjen e Vetëvendosjes dhe LDK-së e ka quajtur të gabueshme, pasi çfarëdo marrëveshje që të sillet për t’u votuar në moment të fundit, pa përfshirje paraprake në proces, sjell telashe të mëdha.

“Në një formë është gabim strategjik i Vetëvendosjes dhe LDK-së duke pritur të thonë një po ose një jo për marrëveshjen finale. E ajo është e rrezikshme dhe kjo është treguar edhe në shumë raste të tjera”, u shpreh Gjini.

20:21

Gjini: Hapja e temës për bashkimin me Shqipërinë nënkupton humbjen e veriut dhe Preshevës

Kreu i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka thënë se liberalizimi i vizave pritet të bëhet shumë shpejtë.

Në Rubikon të KTV-së ai ka thënë se, “liberalizimi i vizave pritet të bëhet deri para fillimit të vjeshtës”.

“Serbia i ka shkelë të gjitha marrëveshjet, jo vetëm në rastin e njohjeve. Të gjithë e kanë kuptuar se Kosova nuk është fajtore pse nuk po ndodh dialogu. E kemi tregu se Kosova mundet me u sill si shtet sovran, dhe vet vendos a e heq apo jo taksën”, është shprehur Gjini.

Sipas tij Kosova është një vend i vogël dhe nuk mundet me çoroditë raportet me ndërkombëtarët.

“Debati për shkëmbimin e territorit ka përfunduar, por po dalin të ngjashme që gjithashtu janë të rrezikshme. Mendoj se të gjithë njerëzit e Kosovës duhet të kenë kujdes kur flasin për bashkimin me Shqipërinë. Hapja e temës për bashkimin me Shqipërinë nënkupton humbjen edhe të veriut edhe të Preshevës”, ka thënë Gjini.

Ai thotë se është i mbyllur kapitulli për ndryshimet territoriale.

“Nëse tani lëshohemi në aventura të tilla, këto hapin rrugën për humbjen e veriut dhe Preshevën. Kjo rrugë është pastër një rrugë që s’ka me ndodhë, por nëse do të bëhej ajo do t’i jepnim të drejtë Serbisë për me i shkelë të gjitha marrëveshjet. Nëse Kosova vet i mëshon shkelm gjithë atë që ka arrit të tjerët s’kanë me pas fare mëshirë”, është shprehur Gjini.