Arbëri

Cili është programi dhe logoja e 20-vjetorit të çlirimit

Në kuadër të manifestimeve për njëzetvjetorin e hyrjes së NATO-s në Kosovë, nga 11 deri më 13 qershor, do të organizohen një sërë aktivitetesh, ku do të marrin pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë dhe të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare.

Udhëheqësi i Ekipit Zbatues për Realizimin e Agjendave Shtetërore, Fehmi Mehmeti, deklaroi se përgatitjet janë në fazën finale dhe aktivitetet kryesore do të mbahen më 12 dhe 13 qershor.

Ai tha se tashmë janë dërguar ftesat për personalitetet vendore dhe ndërkombëtare që të bëhen pjesë e festimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Logoja e shënimit të këtij përvjetori përmban numrin 20 bashkë me simbolin e pëllumbit që është simbol i paqes. Ndërsa si slogan është përzgjedhur fjalia “Për lirinë tonë” që është shkruar në tri gjuhët zyrtare të Kosovës e që është si falënderim për të gjithë ata që kontribuuan dhe sakrifikuan për lirinë e Kosovës, përcjell ksp.

Ai ka ftuar të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e festimeve për 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës së bashku me miqtë ndërkombëtarë.

Më 12 qershor do të mbahet edhe një tubim në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet ku do të marrin pjesë edhe krerët e vendit dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

Po ashtu, do të përurohet edhe busti i ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

Gjithashtu, do të mbahet edhe një konferencë e sigurisë ku do të marrin pjesë faktorët kyç të asaj kohe dhe përfaqësues të institucioneve vendore të sigurisë.