Arbëri

Kosova shpall persona Non Grata rusin e UNMIK-ut

Descriptive Text

Rusi i UNMIK-ut Mikhail Krasnoshchenkov është shpallur persona Non Grata nga autoritetet e Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

“Sot, kam kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të shpallim shtetasin rus z.Mikhail Krasnoshchenkov si person ‘Non Grata’. Vendimi është marrë sot ndaj këtij personi që punon si staf ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, dhe të njëjtit i urdhërohet që ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës. Ky vendim ka hyrë në fuqi, sot nga 31 maj 2019”, ka njoftuar Haradinaj përmes Facebook-ut.

Krasnoshchenkov, ditën kur Policia e Kosovës realizoi aksion në pjesën veriore të vendit, bllokoi rrugën duke penguar ata të kryenin punën e tyre. Ai më pas ishte arrestuar.

Haradinaj ka kërkuar që menjëherë të respektohet ky vendim që është marrë nga Kosova.

“I bëj thirrje Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të respektojë vendimin. Vendimi është marrë për shkak të veprimeve të shtetasit rus kundër rendit kushtetues të Kosovës, vlerave universale, paqes dhe stabilitetit!”, ka shkruar ai.