Arbëri

Ahmeti paralajmëron takim me Mustafën, pesimist për nismën e rrëzimit të Qeverisë

Takimet e liderëve opozitarë për mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj pritet të shpeshtohen.

Pas takimit mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, ditën e enjte ose të premte, Shpend Ahmeti do të takohet me Isa Mustafën, e nuk përjashton mundësinë e takimit me Albin Kurtin. Pavarësisht kësaj, jo shumë optimist për këtë iniciativë shprehet ky i fundit, duke deklaruar se duhet të shikohen mundësitë që rrëzimi i Qeverisë të bëhet pa votat e Listës Serbe.

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti në një intervistë për KosovaPress bënë të ditur se janë të gatshëm për të bashkëvepruar me dy partitë tjera opozitare për të rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

Mirëpo, thotë se pa biseduar me dy liderët tjerë opozitar nuk e di se sa serioze është kjo iniciativë.

“Në fillim të kësaj jave më ka kontaktuar dhe pres që të enjten ose të premten që të takohemi... njëherë më duket që është takim vetëm mes meje dhe zotëri Mustafa. Pa e dëgjuar një herë nuk po e di sa është serioze. Ne publikisht kemi deklaruar kemi shprehur gatishmërinë tonë për tu kordinuar si opozitë për rrëzimin e Qeverisë”, deklaron Ahmeti.

E rëndësishme për Ahmetin është fotografia e Kosovës pas zgjedhjeve. Ai kërkon zotim publik nga LDK-ja se do të ketë vija të kuqe për PDK-në.

Kurse theksoi se PSD duhet të ketë rol në këtë iniciativë për rrëzim të Qeverisë.

“Nëse është vendimmarrje ku dy subjektet politike janë marr vesh dhe vetëm po na informojmë, natyrisht se nuk ka gjëra të tilla. Ne jemi të interesuar shumë fotografinë e Kosovës pas zgjedhjeve. Pra si e mendojnë ata zgjedhjet. Kush do të shkoj koalicion me kenë. Duam që të kemi vija të kuqe. Për mua është me rëndësi që të kemi një zotim publik që LDK-ja nuk do të shkoj me PDK-në të formojë Qeverinë pas zgjedhjeve”, thotë Ahmeti.

Ahmeti për KosovaPress e përsëriti se me Listën Serbe ata nuk i japin votat për të çuar vendin në zgjedhje të reja.

Krejt kjo, pasi në rrethanat aktuale është në rrezik të hyhet në iniciativa të tilla.

“Nëse numrat janë me Listën Serbe atëherë e kemi problem. Unë po shpresoj që edhe për Vetëvendosjen është problem dhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në këtë fazë të kësaj retorike të kësaj lufte tregtare që po bëhet. Në këtë fazë të dialogut do të ishte shumë rrezik që me hy në iniciativa të tilla. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka mundësi. Ndoshta marrim detyra secili, ndoshta unë mendoj që është një deputet që unë e njoh që ai mendon që duhet me rrëzu qeverinë të punojmë”, thotë Ahmeti për KosovaPress.

Javën e kaluar dy kryetarët e partive opozitare, Isa Mustafa dhe Albin Kurti janë takuar për tu koordinuar mbi mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj.