Arbëri

Mustafa vlerëson kontributin e Turqisë për FSK-në

Prishtinë, 27 maj - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, priti sot ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar.

Bëhet e ditur se me këtë rast ai e njoftoi ambasadorin Sakar për qëndrimin dhe përkushtimin e LDK-së mbi zhvillimet aktuale politike në Kosovë.

Gjatë këtij takimi me theks të veçantë është diskutuar për bashkëpunimin e mëtutjeshëm mes të dyja vendeve në fushën e arsimit, kulturës, shëndetësisë, sundimit të ligjit dhe ekonomisë, veçanërisht për rritjen e tregtisë, investimeve, prodhimit dhe punësimit.

Kryetari Mustafa falënderoi ambasadorin Sakar për kontributin e Turqisë për FSK-në dhe transformimin e saj në Ushtri, duke nënvizuar se siguria dhe stabiliteti i Turqisë janë të lidhura ngushtë me sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit dhe regjionit.

Ambasadori Sakar e falënderoi kryetarin Mustafa për mikpritjen dhe vlerësoi rolin konstruktiv të LDK-së në proceset shtetformuese në Kosovë.

Në takim ishin të pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, dhe zëdhënësi, Besian Mustafa.