IDK: Në rastin e fajdeve sistemi i drejtësisë ka dështuar

28 May 2019 11:58

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj vlerëson se me rastin e fajdeve, ku është përmendur edhe emri i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli sistemi i drejtësisë ka treguar dështimin e tij.

Sipas Miftarajt ky rast tregon lidhjen e grupeve të interesit dhe kriminale me sistemin e drejtësisë, policisë e gjykatave.

“Rasti i fajdeve është rasti më reprezentativ që dëshmon dështimin e sistemit të drejtësisë, respektivisht sistemit gjyqësor dhe prokurorisë në Kosovë. Nëse e bëjmë vetëm një analizë se si është trajtuar ky rast në vitin 2013, se si institucionet e drejtësisë kanë ofruar pandëshkueshmëri të plotë personave të përfshirë konfirmon lidhjen e grupeve të interesit dhe grupeve kriminale me sistemit të drejtësisë, me Policinë me prokurorinë dhe gjykatat. Edhe Këshilli Gjyqësor edhe Prokurorial do të duhej ta trajtojnë në mënyrën më profesionale të mundshme të shfrytëzojnë mekanizmat që i kanë në dispozicion, si Këshilli Gjyqësor edhe ai Prokurorial duhet të shikojnë se si është trajtuar ky rast”, tha Miftaraj, raporton Kosovapress.

Sipas tij, këta persona janë amnistuar nga sistemi i drejtësisë në Kosovë pasi që më shumë se dy vite nga ngritja e aktakuzës nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore.

“Po flasim për një rast të një aktakuze të vitit 2016, ku flasim për të njëjtit persona për të cilët është ngritur aktakuzë dhe pothuajse për dy vite e gjysmë ende nuk është caktuar asnjë seancë gjyqësore në këtë rast”, tha Miftaraj.

Këto komente Miftari i bëri gjatë publikimit të raportit “Pavarësia, efikasiteti, llogaridhënia dhe integriteti i Këshillave”.

Kujtojmë që ditë më parë, KTV-ja ka publikuar disa video-incizime, ku shihen disa persona të dyshuar për vepra kriminale duke marrë para dhe duke u thirrur edhe në emrin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ata përmendin edhe nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Xhavit Halitin. Ngjarja thuhet se ka ndodhur në vitet 2012 – 2013.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme