Berisha: Çitaku shkoi në iftar që Trumpi e shtroi për vendet islamike

20 May 2019 17:46
18:16

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, ka thënë se ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, kishte shkuar në iftarin që presidenti amerikan Donald Trump e kishte shtruar për vendet islamike.

Image

Ai ka thënë se ka burime që të ftuar ishin ambasadorët e shteteve islamike dhe s’është dashur të ketë protagonizëm nga Çitaku. Duke komentuar një status të tij në Facebook, Berisha ka thënë se nuk kishte shkruar në pikëpamje fetare, por se kishte të bënte me raportet e institucioneve shtetërore.

“S’është lexuar saktë. Nuk ka qenë kritikë. Ambasadori, së paku unë s’bëj gabime të tilla, zbaton obligimet nga MPJ-ja. Nëse i thotë MPJ shko, ajo duhet të shkojë. S’guxon të shkojë nëse s’ka instruksione. S’kam pas si ta kritikoj për një veprim sipas instruksioneve. Nëse s’është sipas instruksioneve atëherë është çështje tjetër për çka unë s’kam informata. Unë e kam theksuar dilemën në përfaqësim ose protagonizëm në ngjarje të tilla fetare dhe s’ka të bëjë me fenë”, ka theksuar ai në Express Intervistën në KTV.

“Protagonizmi ishte në lidhje. Ne nuk jemi as shteti më mysliman, as më katolikë a ortodoks në botë e s’kemi nevojë të bëhemi protagonistët e mëdhenj në ngjarje të tilla. Burimet e mija ishin se ngjarja nuk ishte e variantit të tillë që është paraqitur. S’ishin të gjithë ambasadorët, por ishte për shtetet islamike. S’ka qenë darkë e të gjitha shteteve. S’kam komentuar gabimin, por kam shtruar dilemën e kujdesit të protagonizmit në ngjarje të tilla”, ka shtuar Berisha.

Berisha ka thënë se ka kërkuar që të ketë më shumë kujdes duke përsëritur se “Kosova s’ka nevojë të jetë protagoniste për këso tema”.

“Ka mundësi të zhvillohen raportet me SHBA-në në të gjitha rrafshet sepse ne s’jemi fuqi e madhe sikur në kontekstin evropian Gjermania, Italia e në botëror Arabia Saudite dhe Turqia e tjetër gjë është Kosova. Kosova është joproporcionale të jetë protagoniste”, ka përfunduar ai.

18:01

Zëvendësministri Berisha thotë se s’e ka takuar tash një vit ministrin Pacolli

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, thotë se ka një vit që nuk e ka takuar shefin e tij, ministrin Behgjet Pacolli, edhe pse punojnë në një ministri.

Në Express Intervistën në KTV, duke folur për vërejtjet nga ambasada amerikane për të mos emëruar njerëz me të kaluar kriminale në pozita të larta zyrtare, Berisha ka thënë se për këto nuk mund të diskutojë me shefin e tij sepse ka një vit që s’e ka takuar.

“E kam diskutuar me kolegët, me ata që mund të diskutoj, me ata që arrij. Me ministrin nuk e kam diskutuar. Ka një vit që s’e kam takuar. Ai dikton raportet, jo zëvendësministri. Pyetjet duhet shtruar atij. Jam diplomat karriere dhe shfrytëzoj të gjitha kontaktet e mija dhe lidhjet e mija dhe vetë detyrën dytësore si këshilltar diplomatik i kryeministrit që më jep hapësirë për të vepruar”, ka thënë ai.

Berisha ka thënë se megjithatë s’ka pengesa në punën e tij.

17:46

Berisha thotë se konkursi për diplomatë duhet rishqyrtuar

Zëvendëministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, ka thënë se konkursi për diplomatë duhet rishqyrtuar apo anuluar.

Sipas tij, kjo duhet bërë për shkak të procedurave.

Në Express Intervistën në KTV, Berisha ka komentuar edhe konkurrimin e tre këshilltarëve të ministrit Behgjet Pacolli për shërbim diplomatik.

Ai ka thënë se s’duhet të ketë kufizime dhe se konkursi është i hapur për të gjithë, por ka shtuar se konkursi duhet të jetë më i rregulluar. Sipas tij, fokusimi në procedurat e brendshme po e dëmton edhe procesin e përzgjedhjes së diplomatëve.

“Për konkursin, mendoj që ai konkurs të rishqyrtohet. Nëse është nevoja edhe të anulohet, por të ketë më shumë kohë e të sqarohet sidomos me këta diplomatë që kanë studiuar jashtë, sepse s’ka arsye që studentë apo njerëz që kanë kryer shkollim jashtë të bien peng i procedurave të stërzgjatura të nostrifikimit, për çka ndoshta më së paku janë fajtorë. Ata që kanë kualifikime në universitete prestigjioze e që vërtetohet të jenë ashtu, duhet t’u jepet kohë për të kryer procesin. Njoh shumë të interesuar që kanë studiuar jashtë dhe jam në favor të tyre që MPJ nuk duhet të ndalet në procedura të brendshme sepse këta kanë kryer shkollë jashtë dhe ne kemi interes të kemi njerëzit më të mirë atje e jo t’i ngushtojmë me procedura të tilla apo të mos pengohen për shkak të procedurave”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se teksa akoma s’ka përfunduar procesi, nuk mund të flitet se ka ndikim politik në të.

“Deri sa s’është kryer kjo, mendoj personalisht se duhet rishqyrtuar. Për shkak të kritereve të cilat duhet të jenë në favor të kualitetit. Procedura është për shkak të kualitetit. Mua më intereson kualiteti si diplomat, dhe jo procedurat që pengojnë kualitetin. Çdo procedurë e tillë e çdo ndikim që dobëson kualitetin, neve na nevojiten me më kualitet”, ka përsëritur ai.

Ai ka fajësuar devijimin e dialogut për mungesë njohjesh për Kosovën. Sipas Berishës, procesi i dialogut ka sjellë komplikime që kanë penguar relacionet me shtetet e reja.

“Sa i përket njohjeve, Kosova kohëve të fundit ka kaluar në proces politik bukur të komplikuar e që ishte pengesë për proceset e njohjeve sepse dialogu i zhvilluar në Bruksel, kaloi nga procesi i normalizimit në tendencën e Serbisë për dialog për statusin e Kosovës. U bënë sërë komplikimesh që penguan relacionet me shtetet e reja”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, edhe diskutimi për kufijtë, por edhe pengesa që Serbia i bëri Kosovës në anëtarësim në organizata ndërkombëtare sollën komplikime në këtë proces.

“Dialogu në tërësi në Bruksel pati në pikënisje atëherë që të jetë dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe njohjen nga pesë shtetet evropiane. Ajo s’ndodhi e më e keqja se rrëshqiti në një dialog ku më shumë merreshin parasysh qëndrimet e pesëshes që s’e kanë njohur Kosovën se të 22 shteteve që kanë njohur Kosovën. Marrëveshjet që janë bë në Bruksel, një nga to ishte që Serbia të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale e më gjerë. Ajo bëri të kundërtën dhe pastaj dihet si rrodhën gjërat në kompilime të raporteve mes dy shteteve”, ka thënë ai teksa ka shtuar se Kosova duhet të jetë më e fokusuar në pesë shtetet e Evropës që akoma s’kanë njohur shtetin.

Ai ka mohuar se ka pasur tërheqje të njohjeve, por ka thënë se “ka diskutime të pakëndshme”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme