Arbëri

Brovina edhe më 2012 e kishte paraqitur fotografinë e djeshme, u thoshte të pranishmëve se “kjo dëshmi do t’ju lë pa gjumë”

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina, e tronditi opinionin në vend me publikimin e një fotografie ditën e djeshme ku thoshte se janë tre ushtarë serbë duke e përdhunuar një grua kosovare gjatë luftës para familjarëve të saj.

Në deklarimet e mëvonshme gjatë ditës së djeshme, kur edhe doli se fotografia ishte e rreme, ajo tha se atë fotografi e kishte prezantuar edhe më parë, por s’kishte marrë kaq shumë publicitet.

Kjo del të jetë e vërtetë, pasi më 4 dhjetor të vitit 2012, gjatë një diskutimi në Sallonet e së Martës, të organizuara nga Instituti D4D, për temën “Pse viktimat e dhunës seksuale të luftës nuk kanë të drejtë për përfitime si viktimat tjera të luftës”, ajo në fund të fjalimit të saj e kishte paraqitur këtë fotografi, raporton Koha.net.

Në hyrje të fjalimit të saj, ajo përgatiti opinionin për fotografinë që e kishte sjellë.

“Një dëshmi e kam sjellë sot dhe do t’ju lë pa gjumë, sepse e kam sjellë foton ku shihet familja e abuzuar dhe gruaja e abuzuar”, tha ajo në fillim.

Më pastaj vazhdoi të fliste për dhunën e ushtruar ndaj grave gjatë luftës në Kosovës nga forcat serbe, kurse krejt në fund e nxori nga një çantë fotografinë.

“Unë do t’ju tregoj fotografinë që të kuptoni mirë. E shihni? Njerëzit janë detyruar ta shohin bijën e tyre duke u dhunuar. Dhe kjo fotografi mbetet shenjë. Kjo grua është e gjallë. Kjo grua po kërkon diçka nga ne. Por edhe këta burra janë gjallë dhe vuajnë nga sindromi post-traumatik. Nuk është e vërtetë se vetëm gratë bëjnë vetëvrasje. Bëjnë edhe burrat”, ka thënë Brovina në fund të fjalimit të saj.

Gjatë këtij fjalimi, Brovina hedh akuza ndaj organizatave ndërkombëtare, duke thënë se “dëshmitë, fotot ose filmat e gjetur nga armiku i vrarë ose shënime që u harruan gjatë rrugës duke ikur, ato u zhdukën edhe nga ndërkombëtarët”.

Kjo fotografi, të cilën Brovina e shfaqi edhe dje në ambientet e Kuvendit, doli të jetë e rreme, e madje, sipas mediave ndërkombëtare, ajo është skenë e një filmi pornografik të xhiruar diku në Hungari.