Arbëri

Pendarovski: Demokracia ekziston vetëm kur të gjithë të jenë të barabartë nga veprimet e pushtetit

Fituesi i zgjedhjeve presidenciale të 5 majit, edhe zyrtarisht ka marrë postin e të parit të Maqedonisë së Veriut.

Stevo Pendarovski u betua se do të mbrojë sovranitetin e integritetin e Maqedonisë së Veriut dhe do t’i respektojë ligjet në fuqi.

Në fjalimin e tij ai ka theksuar nevojën për ngritjen e ekonomisë së vendit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përcjell KTV.

Pendarovski pritet të jetë mik i opozitës, pasi ka thënë se do t’ia shtrijë dorën për bashkëpunim.

“Publikisht e them dhe obligohem se do të jem president i të gjithëve. Në sferën politike, punën e parë që do ta bëj, e për të cilën shpesh herë kam folur gjatë dy muajve të kaluar, është shtrirja e dorës opozitës për bashkëpunim. E ndiej se përgjegjësia ime e parë si president që isha propozuar nga partitë në pushtet është që t’i mbroj të drejtat dhe statusin e pakicës, pasi demokracia ekziston vetëm kur të gjithë të jenë të barabartë nga veprimet e pushtetit”, ka thënë Pendarovski.

Ai ka shtuar se është koha që të shërohen plagët e hapura prej të kaluarës dhe të fillojë pajtimin qytetar.

Pendarovski ka theksuar përkushtimin e tij për bashkëpunim me vendet e rajonit.

“Raportet e shkëlqyera me të gjitha pesë shtetet fqinje dhe bashkëpunimi i frytshëm rajonal janë parakusht themelor për zhvillimin e një shteti me pozitë specifike gjeografike. Marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë janë shembuj pozitiv dhe paraqesin guxim politik për lënien anash të stereotipeve politike dhe ruajtjen e interesave nacionale dhe në të njëjtën kohë të promovohen interesat strategjike të shtetit”, ka thënë ai.

Në seancën solemne kanë marrë pjesë edhe presidentë e përfaqësues të lartë të shumë shteteve, si presidenti i Shqipërisë, ai Kosovës, i Serbisë, Bullgarisë, dhe ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Malit të Zi.

Presidenti Thaçi e ka uruar për detyrën e re presidentin Pendarovski, e po ashtu e ka ftuar atë që të punojnë së bashku për thellimin e bashkëpunimit rajonal.

Thaçi e ka ftuar presidentin e ri për vizitë zyrtare në Kosovë.

Stevo Pendarovski zëvendëson Gjorge Ivanovin, i cili për dy mandate ishte president i Maqedonisë së Veriut.