LDK-ja e VV-ja kundër Projektligjit për financimin e partive Foto: Koha

Miratohet Projektligji për financimin e subjekteve politike

10 May 2019 10:38
11:58

Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane ka miratuar projektligjin për ndryshimin e ligjit për financimin e subjekteve politike.

Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji ka pasur mendime pro dhe kundër ku dy partitë opozitare Vetëvendosje dhe LDK kanë votuar kundër këtij projektligji.

Kryetarja e Komisionit, Blerta Deliu-Kodra, sqaroi se fushëveprimtaria e këtij projektligji nuk rregullohet në mënyrë specifike me legjislacion të BE-së, rrjedhimisht as amendamentet e komisionit funksional, ndërkaq shtoi se ndryshimet për rregullimin e çështjes së financimit të subjekteve politike janë kërkuar nga BE-ka dhe nga raportet për vendin.

“E mbështes këtë projektligj, sepse është nismë e mirë. Mirëpo mbështes edhe fuqizimin e deputetëve”, tha Deliu-Kodra, përcjell ksp.

10:38

LDK-ja e VV-ja kundër Projektligjit për financimin e partive

Komisioni për Integrime Evropiane është duke diskutuar për plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për Financimin e Partive Politike.

Deputetja e Vetëvendosjes Fatmire Kollqaku në fillimin të mbledhjes së këtij komisioni ka thënë se projektligjin si të tillë nuk do ta votojë dhe menjëherë pas fjalimit e ka lëshuar mbledhjen, raporton KTV.

Kundër këtij projektligji është deklaruar edhe Armend Zemaj i LDK-së i cili ka thënë se projektligjin nuk do ta votojë që i njëjti të shkojë në seancë për miratim për shkak se mënyra që po tentohet të rregullohet financimi nuk është e drejtë.

Ndërsa deputeti i PSD-së Visar Imeri ka thënë se kërkesa e tyre ka qenë që ky projektligj të përcaktojë financimin në mënyrë të barabartë të grupeve të reja parlamentare edhe me grupet e tjera.

Kryetarja e Komisionit Blerta Deliu -Kodra ka thënë se Vetëvendosjes i janë ndarë mjete për 31 deputetë diku mbi 1 milion euro ndërsa ka vetëm 19 deputetë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme