Arbëri

Thaçi ka shkelur Kushtetutën nëse e ka zgjedhur Kurteshin Avokat të Popullit, por ky e mohon

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mund të ketë shkelur Kushtetutën e Kosovës, nëse deklarimet tij lidhur me emërimin e Sami Kurteshit si Avokat i Popullit, janë të vërteta.

Bazuar në Kushtetutë, ai as si kryeministër e as si president, nuk mund të emërojë dikë në një pozitë të tillë. Neni 9 i Kushtetutës së Kosovës, përcakton qartë se Avokati i Popullit zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës.

Kurteshi qe zgjedhur Avokat i Popullit në vitin 2009, i pari në këtë detyrë në Kosovën që kishte shpallur pavarësinë një vit më parë, e institucioni kishte marrë kompetencat e plota. Në atë kohë Thaçi ka qenë kryeministër i vendit. Vetë Kurteshi e ka mohuar se Thaçi e ka zgjedhur në këtë detyrë. E ka kundërshtuar fuqishëm edhe në diskutimin e djeshëm në Kuvend, tek Thaçi po “dëshmonte” para Komisionit Hetimor për rolin e tij në dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova. Po aq i ashpër në kundërshtim të kësaj çka ka thënë Thaçi ka qenë edhe në prononcimin për Koha.net.

Image
Hashim Thaçi gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për "gulenistët"

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve të drejtësisë, deklaratat e tilla i cilësojnë si diskreditim i Institucionit të Avokatit të Popullit. Madje, sipas Artan Muratit nga Instituti Demokratik i Kosovës, një deklaratë e tillë e presidentit Thaçi do të duhej të ishte pikënisje e Prokurorisë së vendit që të nisë hetimet.

Duke folur për Koha.net, ai thotë se Thaçi në pozitën e atëhershme të kryeministrit kishte hapësirë që të ndikonte në konkurset e institucioneve të pavarura. Murati e konsideron mendësi të gabuar të presidentit që t’i qërojë hesapet me deputetët përmes deklarimeve të tilla.

“Si kryeministër i atëhershëm, Thaçi ka pasur tendenca qe të ndikojë në konkurset e institucioneve të pavarura për të zgjedhur drejtuesit e tyre. Ai ka pas mundësi në mandatin e tij si kryeministër me ndiku në këto konkurse. Me një deklaratë të tillë ai vet hapi rrugë që të dyshohet e që për Prokurorinë e vendit kjo do të duhej të ishte pikënisje për të nisur hetimet”, ka thënë ai.

E, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i sheh të zakonshme deklaratat e Thaçit lidhur me emërimet në Institucionin e Avokatit të Popullit. Miftaraj thotë për Koha.net se afera ‘Pronto’ kishte shpërfaqur ndikimin politik në emërimin e militanteve politik në institucione të pavarura përfshirë edhe institucionin e Prokurorit të Shtetit.

Miftaraj e quan skandal, pranimin në publik për emërime të tilla të jashtëligjshme në institucionet e pavarura, dhe pafuqinë e organeve të drejtësisë për t’i ushtruar kompetencat e tyre.

“Deklaratat lidhur me emërimet në Institucionin e Avokatit të Popullit nuk është se janë ndonjë risi. Në këtë drejtim, është skandal vet fakti i pranimit në publik lidhur me emërime të kundërligjshme në institucione të pavarura, dhe heshtjen dhe pafuqinë e organeve të ndjekjes për të ushtruar kompetencat e tyre”, ka thënë ai duke shtuar se, deklaratat e djeshme janë dëshmi se institucionet e pavarura në Kosovë të tilla janë vetëm në letër e në praktikë udhëhiqen nga politika dhe grupe të interesit.

Thaçi gjatë mbledhjes së Komisionit kishte deklaruar se Sami Kurteshi i është lutur si ‘zvarranik’ që ta emëronte në pozitën e Avokatit të Popullit. Madje kishte thënë se ka qenë ai që e ka bërë Kurteshin Avokat të Popullit.

“O Avokat të Popullit e kam bërë unë o burrë me të njofshëm, mi ka pru me lobingje me të gjitha, menxi dikur e kam bërë. Mu ke lutë si zvarranik në zyrë, po mos bën hajgare” ishte deklarimi i Thaçit në Komision.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, deklarimet e tilla i ka quajtur shpifje. Ka thënë bile se ka qenë pikërisht Thaçi ka qenë kundër që ai të bëhet Avokat i Popullit.

Image
Sami Kurteshi, derisa ishte Avokat i Popullit

E sot, në një bisedë me Koha.net ai ka thënë se ende nuk e di nëse do ta ngre padi ndaj Thaçit pasi që sipas tij duhet të shikuar baza ligjore.

“Nuk mundem të them asgjë për këtë, sepse duhet me shiku bazën ligjore si është, por ajo çfarë e kam thënë dje, që ai është kriminel, i poshtër, dhe se ajo është shpifje, veç ajo vlen, tjerat krejt vinë më vonë”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq i distancuar nga krejt kjo përplasje ka dashur të mbetet Hilmi Jashari aktualisht Avokat i Popullit.

Ai për Koha.net ka thënë se nuk dëshiron t’i komentojë deklaratat e Thaçit dhe Kurteshit, pasi që sipas tij, me ligj përcaktohet qartë se kush e zgjedhë dhe e emëron Avokatin e Popullit.

“Unë këtë debat që e ka pas z.Kurteshi dhe presidenti nuk mund ta komentoj dhe nuk kisha dashtë me komentu, janë probleme që i kanë krijuar mes vete, një fjalor që është krijuar aty për aty. Nuk mund t’i komentoj vlerësimet që bëhen në takime të tilla, edhe fjalorin edhe gjuhën e përdorur, mirëpo me ligj dhe me kushtetutë e dini qysh është e përcaktuar të zgjidhet Avokati i Popullit, kështu që është mese e qartë procedurat qysh ndodhë”, ka thënë ai.

Kujtojmë se Neni 9 i Kushtetutës e përcakton se Avokatin e Popullit e zgjedh Kuvendi i Republikës së Kosovës, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të tij, për një mandat pesë (5) vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Koha.net ka provuar të shtunën të kontaktojë edhe me këshilltarin e Thaçit, Ardian Arifaj, mirëpo një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur.

Image